Connect with us

Politike

SUPER E MARTË/ Marta Kos: Shqipëria në rrugën e duhur, sot mbyllen kapitujt e parë

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar 14 korrikun një ditë historike për procesin e zgjerimit të bllokut, duke e quajtur atë një “Super të Martë” për katër vendet që kryesojnë aktualisht rrugën drejt anëtarësimit.

“Sot është një Super e Martë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillojmë katër konferenca ndërqeveritare në të njëjtën ditë”, shkroi Kos në rrjetin social X.

Sipas saj, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi po hedhin hapa të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Evropian.

“Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Klasterin 6, që përfshin fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre janë veçanërisht të forta. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapituj”, u shpreh komisionerja.

Kos theksoi se progresi politik duhet të shoqërohet me zbatim konkret të reformave.

“Dinamika e sotme duhet të shndërrohet tani në rezultate konkrete në terren”, deklaroi ajo.

Shqipëria pritet të marrë pjesë në Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Bruksel, ku pritet të formalizohet mbyllja provizore e tre kapitujve të parë të negociatave: Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.

Mbyllja e këtyre kapitujve nuk nënkupton përfundimin e procesit në këto fusha, por vlerësimin e Bashkimit Evropian se Shqipëria ka përmbushur standardet e kërkuara në këtë fazë të negociatave.

Kapitujt mbeten nën monitorim deri në anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian dhe, në rast regresi të rëndësishëm, mund të rihapen.

Advertisement