Aktualitet
Rekrutohet si punonjëse në exchange, gruaja vjedh mijëra euro ditën e parë të punës
Një grua është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se ka përfituar nga pozicioni i saj i ri i punës për të vjedhur rreth 5 mijë euro nga një pikë këmbimi valutor.
Sipas hetimeve paraprake, ajo ishte paraqitur si kandidate për punë në një biznes që merrej me transferta parash dhe këmbim valutor në zonën e “Vorrit të Bomit”. Pasi u pranua si punonjëse, ajo dyshohet se ka pritur një moment kur nuk ka qenë nën vëzhgimin e kolegëve për të marrë paratë nga arka dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja është zbuluar menjëherë nga pronarët e biznesit, të cilët kanë njoftuar policinë. Pas verifikimit të pamjeve të sigurisë dhe mbledhjes së provave, autoritetet kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e saj në zonën e “21 Dhjetorit”. Dyshohet se kjo nuk ishte hera e parë që ajo përdorte të njëjtën mënyrë për të kryer vjedhje, pasi më herët është lidhur edhe me raste të tjera të ngjashme, por me shuma më të vogla parash. Ajo pritet të përballet me procedurat ligjore për akuzën e vjedhjes.