Connect with us

Politike

Shteti Bektashi drejt zyrtarizimit, Berisha: PD kundër kësaj nisme antikushtetuese

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar kundër projektit për krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë, duke e cilësuar nismën si “antikushtetuese” dhe “antikombëtare”.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike ka kundërshtuar këtë projekt që prej vitit 2024 dhe se, sipas tij, krijimi i një shteti bektashi bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe karakterin laik të Shqipërisë.

“PD ka reaguar fuqimisht. Cilido që është i interesuar për reagimet e PD-së, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia. Kam qenë në arrest shtëpie kur unë kam ngritur zërin kundër tij dhe duhet të ketë qenë janari i vitit 2024”, deklaroi Berisha.

Ai tha se projekti është, sipas tij, edhe “kundër bektashizmit shqiptar”, duke vlerësuar kontributin historik të këtij komuniteti në çështjen kombëtare shqiptare.

“Ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar, i cili ka qenë dhe është një shtyllë e vërtetë e atdhetarisë”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha argumentoi se krijimi i një entiteti të tillë mund të nxisë përçarje fetare në Shqipëri.

“Kjo aventurë, e cila, siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli”, tha Berisha.

Advertisement