Politike
Skënderbeu i shqiptarëve/ PS, një lopë për ta mjelë dhe pushteti një mundësi për përfitim
Platforma “Shqipëria e Re”, e prezantuar nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, nuk është një lëvizje e koordinuar me kryeministrin Edi Rama. Kështu u shpreh analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla, i cili tha se nisma e Spiropalit është personale, por deri më tani nuk ka arritur të krijojë ndikim real brenda Partisë Socialiste.
Kulla tha se, megjithëse Spiropali është një figurë me peshë në PS, ende nuk duket se ka mbështetjen e nevojshme për të ndryshuar ekuilibrat në parti.
Për të shpjeguar marrëdhënien mes Edi Ramës dhe figurave të Partisë Socialiste, Kulla solli edhe një episod nga një takim me ish-kryeministrin italian Massimo D’Alema në vitin 2019.
“Kur isha në Romë me Massimo D’Alemën, ai më pyeti se si po shkonte situata në Shqipëri. I tregova se Rama kishte sjellë ministra të rinj dhe se një prej tyre kishte deklaruar publikisht se ‘Rama është Skënderbeu i shqiptarëve’. D’Alema qeshi dhe më pyeti: ‘Po Rama çfarë thotë?’ I thashë se problemi është se Ramës kjo i pëlqen. Ai m’u përgjigj menjëherë: ‘Atëherë ky është një problem i madh'”, deklaroi Kulla.
Sipas tij, shumë socialistë ndajnë privatisht kritika ndaj mënyrës se si drejtohet partia, por nuk janë të gatshëm t’i shprehin ato publikisht.
“Unë flas shpesh me socialistët, me njerëz të bazës, me ish-drejtues dhe deputetë. Shumë prej tyre më thonë se kam të drejtë në kritikat që bëj, por problemi është se nuk kanë kurajon të përballen me liderin. Në fakt, do të ishte në interesin e tyre ta bënin këtë, që Partia Socialiste të niste reforma dhe ndryshime përpara se të ishte vonë. Sot një pjesë pret të bjerë Rama për të zënë vendin e tij, ndërsa një pjesë tjetër thjesht nuk guxon të flasë”, u shpreh ai.
Në fund, Kulla tha se në Partinë Socialiste është krijuar edhe një grup i ri njerëzish që, sipas tij, nuk kanë lidhje me traditën politike të kësaj force.
“Pastaj është edhe një grup tjetër, prurjet e viteve të fundit, që e shohin Partinë Socialiste vetëm si një lopë për ta mjelë dhe pushtetin si një mundësi për përfitim. Kjo është një nga sfidat më të mëdha që ka sot Partia Socialiste”, përfundoi Kulla.