Aktualitet
Sondazh rajonal: Shqipëria ndër vendet më optimiste dhe më të lidhura me Perëndimin
Një sondazh rajonal i realizuar nga Lord Ashcroft, që përfshin mbi 10 mijë qytetarë në 11 vende të Ballkanit dhe më gjerë, nxjerr në pah një ndarje të qartë në orientimin politik dhe gjeopolitik të rajonit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet më të lidhura me Perëndimin..
Studimi analizon perceptimet për ekonominë, demokracinë, sigurinë dhe ndikimin e aktorëve të huaj.
Në të gjithë rajonin, inflacioni dhe kostoja e jetesës rezultojnë shqetësimet kryesore, të ndjekura nga korrupsioni dhe problemet ekonomike si papunësia dhe pabarazia.
Megjithatë, Shqipëria bën dallim nga pjesa më e madhe e rajonit për nivelin e optimizmit. Së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi, ajo renditet ndër vendet ku shumica e qytetarëve shprehen pozitivë për të ardhmen.
Në aspektin politik, shqiptarët rezultojnë ndër më të prirurit për stabilitet: rreth 36 për qind shprehen për ruajtjen e stabilitetit, ndërsa 35 për qind kërkojnë ndryshim thelbësor.
Po ashtu, Shqipëria është një nga vendet ku besimi në zgjedhje mbetet relativisht më i lartë, me 53 për qind që shprehen “disi të sigurt” dhe 12 për qind “plotësisht të sigurt për korrektësinë e tyre.
Sondazhi thekson gjithashtu ndikimin e fortë të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në rajon. Në Shqipëri, 13 për qind e qytetarëve besojnë se ky ndikim ka një efekt të madh në politikë dhe zgjedhje, ndërsa shumica e konsideron se ka një ndikim të pjesshëm.
Në planin gjeopolitik, Shqipëria rezulton ndër vendet më të orientuara drejt Perëndimit, me 86 për qind që identifikohen me SHBA-të, Evropën dhe aleatët perëndimorë, kundrejt vetëm 1 për qind që shprehen më afër Rusisë dhe Lindjes.
Në planin e sigurisë, Shqipëria spikat si një nga vendet me mbështetjen më të lartë për ΝΑΤΟ-Π.
Rreth 69 për qind e qytetarëve e mbështesin fuqishëm anëtarësimin në aleancë, ndërsa një tjetër 26 për qind e mbështesin disi. Paralelisht, 59 për qind shprehen “shumë të sigurt dhe 33 për qind “disi të sigurt” për mbrojtjen që ofron NATO.
Po ashtu, një shumicë dërrmuese e shqiptarëve mbështet integrimin evropian: 86 për qind janë pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa vetëm një pakicë shumë e vogël shprehet kundër.
Analiza identifikon gjithashtu një segment të rëndësishëm qytetarësh të orientuar qartë drejt Perëndimit, të përqendruar kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë, që favorizojnë lidhje të forta me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n dhe mbajnë qëndrim kritik ndaj Rusisë dhe Kinës.