Politike
SOT ‘MARSHI I LIRISE’/ RAMA SHPERTHEN PER HAGEN
Në ditën kur në Prishtinë zhvillohet “Marshi i Lirisë”, në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi të fortë në rrjetet sociale.
Rama e ka cilësuar procesin në Gjykatën Speciale si një “farsë” dhe ka deklaruar se ajo, sipas tij, ndodhet në ditët e fundit.
Kryeministri shqiptar shprehet se, pavarësisht zhvillimeve në Hagë, Hashim Thaçit nuk mund t’i merret liria.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj”, shkruan Rama, duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës.
Rama citon edhe një deklaratë të mëparshme të Thaçit, sipas së cilës lirinë nuk mund t’ia marrë askush.
Kryeministri shqiptar shkon edhe më tej, duke parashikuar triumfin e Thaçit në përballjen e tij me drejtësinë.
“Ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria, edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi”, shkruan Rama.
Sipas tij, vitet e kaluara në burg nuk e kanë dobësuar forcën e Thaçit, por, përkundrazi, sipas Ramës, e kanë bërë më të madhe bindjen e tij dhe mbështetjen nga shqiptarët.
Deklarata e kryeministrit vjen në një ditë simbolike për Kosovën, teksa në Prishtinë zhvillohet “Marshi i Lirisë”, ndërsa procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë vijon të mbetet në qendër të debatit politik dhe publik në Kosovë dhe Shqipëri.
Rama e mbyll mesazhin e tij me një parashikim të qartë: Hashim Thaçi do të triumfojë, njësoj siç, sipas tij, triumfoi Kosova në rrugën drejt lirisë.