Connect with us

Politike

Spahiu: Një parti në Kosovë ka dërguar në Tiranë njerëz me kamion për të rrëzuar Ramën

Duke folur për protestat në Tiranë, Juristi Kreshnik Spahiu tha se historia që një parti politike në Kosovë (duke nënkuptuar Vetëvendosjen e Albin Kurtit), nis protestues me kamionë në Tiranë për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duhet të marrë fund, pasi sipas tij krijon një precedent të rrezikshëm.

“Dhe ne duhet të jemi shumë korrekt në këtë histori. Sepse ne nuk mund të lejojmë që të vendoset flaka e tolerancës fetare dhe të fusim nxitje për konflikte fetare në Shqipëri. Është e paimagjinueshme nëse në Shqipëri do të nxitet urrejtja e besimit fetar. Nëse ne do hapim historinë që të vijnë me makina e kamiona protestuesit e një partie për të rrëzuar një kryeministër, atëherë ne krijojmë një precedent destabiliteti të marrëdhënieve të çështjes kombëtare”, tha mes të tjerash Spahiu.

Spahiu tha se me qindra njerëz nga Kosova i janë bashkuar protestës në Tiranë, vetëm sepse sipas tij, kryeministri Edi Rama u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netënyahu. Sipas Spahiut, në protestat që po zhvillohën në Tiranë po ndryshon përbërja dhe përfaqësimi.
“Unë veçse kam qenë organizator protestash, jam edhe besimtar mysliman. S’kam lënë Xhami të Shqipërisë e Kosovës pa shkuar. Protesta në fillesën e saj ishte për Zvërnecin, pastaj ishte një lëvizje studentësh dhe e rinisë, ku konsiderohej një protestë e bukur, me vajza të bukura e djem simpatik. Ndërkohë po ndryshon edhe përbërja, edhe përfaqësimi. Ka një kontrast shumë të madh. Dhe protesta ndryshe nisi dhe ndryshe bitisi. Unë nuk mund të bashkohem me ata që dalin aty për të protestuar dhe vijnë nga Kosova të organizuar, vetëm sepse kryeministri i Shqipërisë është takuar me kryeministrin e Izraelit. Dhe po ju them me bindje që e bëjnë për këtë punë. Dhe po ju them me bindje që janë me dhjetëra, qindra, madje edhe me mijëra, në ditën që u mbush bulevardi”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu theksoi se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që t’i ‘vihet flaka’ tolerancës fetare në Shqipëri dhe të futet nxitje për konflikte fetare.

Advertisement