Aktualitet
SPECIALE | A duhen ndaluar reklamat e ushqimeve të pashëndetshme?
Një në gjashtë fëmijë në Gjermani peshon më shumë se duhet. Ministri i ushqimit, Cem Özdemir, kërkon të ndalojë reklamat e ushqimeve të pashëndetshme. Por industria e prodhimeve të ëmbëlsirave kundërshton. Një bonbon çokollate me krahë, këmbë dhe syze super të mëdha lëshohet me vrull nga treni i lodrave dhe bie poshtë. Oh ç’kënaqësi thotë një zë që tregon më pas për një lojë ku mund të fitosh hyrje falas në një park argëtimi për fëmijë. Kjo reklamë për prodhime sheqeri transmetohet në programin e pasdites të televizionit gjerman. Sikur të kishte qenë për Cem Özdemirin e të Gjelbërve, kjo reklamë do të ndalohej pas pak kohe. Ministri gjerman i Ushqimit kërkon që nga ora 6:00 deri në orën 23:00, në televizon, radio dhe internet të mos tregohen reklama për ushqime të pashëndetshme, që synojnë të tërheqin vëmendjen e fëmijëve. Kjo gjë duhet të vlejë edhe për Influencer në Youtube ose Tiktok. Përveç kësaj, rreth shkollave, kopshteve të fëmijëve dhe këndeve të lojrave në të ardhmen duhet të jetë tabu ngjitja e pllakatave që bëjnë reklama me ngjyra të ndezura për ushqime të ëmbla, të yndyrshme ose të kripura. Ne duhet të kujdesemi që fëmijët tanë të rriten më të shëndetshëm, thotë Özdemir gjatë prezantimit të planeve të tij në Berlin. Kjo është vendimtare në luftën kundër mbipeshës dhe sëmundjeve të tjera, që lidhen me mënyrën e të ushqyerit. Është dëshmuar se reklamat për ushqime të pashëndetshme kanë ndikim tek mënyra e ngrënies së fëmijëve, thotë ministri më tej.