Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Batalioni vdekjeprurës në shtëpinë e Putinit

Javët e fundit, të paktën dy dronë kanë goditur disa ndërtesa në “zemër të Moskës”, një shenjë se Ukraina është gjithnjë e më e gatshme ta çojë luftën drejtpërdrejt në Rusi. Fillimisht Kievi ishte më pak i prirur të pranonte përgjegjësinë në lidhje me këto lloj sulmesh në tokën ruse, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe Kievi mesa duket dëshiron të dërgojë një mesazh dhe dëshiron që Moska të dijë se kush po e sulmon. Ajo po përpiqet të rrisë koston e luftës dhe ta bëjë atë më të dukshme për popullin rus, veçanërisht për elitën, të cilët kanë qenë kryesisht të izoluar nga pasojat e pushtimit rus. Kievi po lë të kuptohet se futja brenda Rusisë mund të bëhet pjesë e strategjisë së saj më të gjerë për t’iu kundërvënë Kremlinit. Nuk është e qartë se sa ndikim do të ketë mbi Rusinë, apo në fushën e betejës dhe kundërsulmin e vazhdueshëm të Ukrainës. Por në fund të fundit mesazhet kanë rëndësi në luftë. Dhe sulmet në zemër të Moskës, shpërthimet e fabrikave, mbyllja e hapësirës ajrore, nuk mund të ishin mesazh më i qartë se kaq. Së fundmi, sipas burimeve të autoritetit të aviacionit civil, RIA Novosti raporton se hapësirat ajrore të aeroporteve Vnukovo në Moskë dhe Kaluga janë mbyllur. Masa, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, u miratua për të garantuar sigurinë e fluturimeve civile. Pak më parë, megjithatë, ishte raportuar se aeroporti Vnukovo do të mbyllej përkohësisht për shkak të pranisë së një droni. Më herët, aeroporti Vnukovo tha se ishte detyruar të pezullonte të gjitha fluturimet “për arsye jashtë kontrollit të aeroportit”, duke shtuar se disa fluturime ishin ridrejtuar në aeroporte të tjera në rajonin e Moskës. Nuk dha asnjë informacion të mëtejshëm. Fluturimet rifilluan më vonë në të dy aeroportet Vnukovo dhe Kaluga. Sulmet ajrore me dron thellë brenda Rusisë janë shtuar që kur një dron u shkatërrua mbi Kremlin në fillim të majit.

Advertisement