Aktualitet
SPECIALE/ BE ndërron mendje për zgjedhjet/ Kërkon serbët në institucione
BE nuk i sheh si zgjidhje politike afatgjatë zgjedhjet e fundit që u mbajtën në veri të Kosovës. Nga Prishtina zyrtare kërkohet të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur themelimi i Asociacionit. Për Bashkimin Evropian zgjedhjet e mbajtura të dielën në veri të Kosovës (23.04.), nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjateë për katër komunat e veriut të Kosovës. Zgjidhja politike sipas BE-së “mund të arrihet vetëm nëpërmjet kthimit të përhershëm të serbëve në institucionet e Kosovës”. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, morën pjesë vetëm pak më shumë se 3% nga afro 45 mijë votues. Zgjedhjet u bojkotuan masivisht nga serbët lokalë. Bashkimi Evropian pret që institucionet kosovare ta mundësojnë kthimin e serbëve të larguar nga Institucionet dhe të finalizojnë sa më shpejt që të jetë e mundur themelimin e Asociacionit. “Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”, thuhet në një komunikatë të BE-së.