Aktualitet
SPECIALE | Veriu – Armë dhe municione/ Çfarë po ndodh?
Që nga protestat e dhunshme të serbëve në komunat veriore të Kosovës, të cilët tentuan t’i pengojnë kryetarët e zgjedhur të hyjnë në objektet komunale, situata në katër komunat në veri të vendit ka qenë vazhdimisht e tensionuar. Derisa protestat serbe mbaheshin para objekteve komunale, Policia e Kosovës ka vazhduar arrestimet e disa personave, konfiskimin e armëve dhe municioneve të shumta. Çfarë po ndodh në veri? Pas shpërthimit të protestave, situata në veri u tensionua, madje duke krijuar alarm ndërkombëtar. Që nga ajo kohë, Policia e Kosovës ka intensifikuar aksionet në veri duke konfiskuar armë, municione e parandaluar edhe sulme të mundshme terroriste. Gjatës ditës së sotme, Njësia për ndërhyrje të shpejtë e Policisë ka arritur të zbulojë dhe të konfiskojë një sasi të rëndësishme municioni të dyshuar në një fshat të Zveçanit. Nga një njoftim i dhënë në Facebook nga Polica e Kosovës, u bë e ditur se ky operacion ka patur origjinën nga një patrullim i rregullt, i ndërmarrë nga njësia për ndërhyrje të shpejtë në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Ndërkohë që po patrullonin në afërsi të një shtëpie të braktisur, autoritetet kanë zbuluar dy qese që përmbanin municion të dyshuar. Nga ky operacion janë sekuestruar më shumë se 1 mijë e 200 fishekë. “Me datë 14.08.2023 Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë – NjNSh nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta të patrullimit, në afërsi të një shtëpie të braktisur në fshatin Rudine – Zveçan kanë hasur në dy qese me municion të dyshuar, me sasi prej mbi 1200 (njëmijë e dyqind) fishekësh”, thuhet në njoftimin e Policisë.