Aktualitet
“Të bësh dhe të thuash ato gjësende që janë të pëlqyeshme për Zotin”
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë dorëzimit të Yllit të Madh të Mirënjohjes Publike, Nuncit Apostolik, Charles John Brown:
Të dashur miq!
Fort i dashur Imzot Charles John Brown!
Mirënjohës të gjithëve që i jeni përgjigjur kësaj ftese, për të qenë sot të pranishëm në ndarjen e këtij momenti të veçantë, për t’i shprehur mirënjohjen time dhe të qeverisë sonë, një prelati, një zotërie, një njeriu shumë të vlerësuar nga të gjithë ju, por dhe nga të gjithë ata, që patën fatin ta njohin gjatë shërbimit të tij në Shqipëri.
“Të bësh dhe të thuash ato gjësende që janë të pëlqyeshme për Zotin” – thotë një sentencë e shkruar në rregullën e pavulosur, “regola non bollata” të fretërve franceskanë në 1221, e cila e përshkon si një lajtmotiv enciklikën e fundit të Papa Françeskut, “Të gjithë vëllezër” “Fratelli tutti”, shpallur jo më larg se para një jave mbi varrin e Françeskut të Asizit.
Këtë enciklikë, që lexohet si një rrëfimim shtegtari në udhë të shkelura rrallë, Ati i Shenjtë e ka titulluar shprehimisht: “Enciklikë mbi vëllazërinë dhe miqësinë sociale”.
“Vëllazëri fetare” e quajti ai, bashkëjetesën shoqërore mes besimtarëve shqiptarë në Krisht a në Muhamet, paqja e Zotit qoftë mbi të, gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Shqipëri. Enciklika e tij e fundit përkon edhe me largimin prej Shqipërie të të dërguarit të tij, Imzotit Charles, i cili qëndroi mes nesh dhe me ne si një vëlla, gjatë viteve që shërbeu me zotnillëk dhe përulësi, si një ambasador i Selisë së Shenjtë në këtë vend.
Lejomëni ta them se në sytë e mi, Imzot Charles do të mbetet një shtegtar i veçantë mes tufës së ambasadorëve, i cili vëllazërinë dhe miqësinë sociale i shpalosi me një natyrshmëri që sivëllezërve dhe simotrave të tij në artin e diplomacisë, jo gjithmonë ju vjen dorësh.
Jemi për shumëçka mirënjohes, si krejt bota një shtegtari mahnitës si Papa Françesku, por jemi mirënjohës që edhe na dha mundësinë ne këtu, në Shqipëri të kishim përfaqësues të tij dikë si Imzot Charles John Brown, i cili edhe pse shtegtimin e ka vokacion, përvecse detyrë, nuk e fsheh dot, unë të paktën, që me vjen mirë kur e shoh të mallëngjyer, që duhet ta lerë Shqipërinë.
Imzot, ju nuk jeni as i pari dhe as i fundit që e ka të vështirë ndarjen me këtë vend dhe besomëni, kam parë pak, që si ju kanë ardhur me dëshirë në Shqipëri, por ende nuk e kam parë akoma atë që të ketë ikur me qejf nga Shqipëria, pasi e kanë njohur këtë vend dhe këtë popull siç janë në të vërtetë dhe jo siç duken pas perçes së zymtë të paragjykimeve prej së largu.

