Connect with us

Kosova

TURP/ David Phillips trondit Kosovën: Miqtë janë lodhur nga lufta për pushtet në Prishtinë

Kriza institucionale në Kosovë po vazhdon të shkaktojë shqetësim edhe te partnerët ndërkombëtarë.
David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, thotë se përgjegjësia për ngërçin aktual politik është e përbashkët dhe duhet të bartet nga të gjitha partitë.

Në një intervistë për Front Online, Phillips ka komentuar mundësitë për tejkalimin e krizës, duke përmendur edhe një formulë të bashkëqeverisjes si një alternativë që mund të ndihmojë në zhbllokimin e institucioneve.

Sipas tij, insistimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që marrëveshja për presidentin të arrihet para përfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, mund të shihet si lëvizje politike, por njëkohësisht paraqet edhe rrezik për kredibilitetin demokratik të Kosovës.

“Marrëveshja për presidentin është edhe strategji politike, por edhe një sfidë serioze për kredibilitetin e Kosovës. Miqtë e Kosovës janë lodhur dhe kanë pasur mjaft nga kjo luftë për pushtet”, ka deklaruar Phillips.

Ai paralajmëron se vazhdimi i bllokadës institucionale mund të ketë pasoja edhe në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, duke dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për vendin.

Phillips është skeptik edhe për mundësinë e një rikthimi në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, zgjedhjet e përsëritura nuk garantojnë zgjidhjen e krizës dhe mund të prodhojnë sërish një rezultat të ngjashëm me atë aktual.

Ai propozoi që Shtetet e Bashkuara të emërojnë një të dërguar special për Kosovën, me kompetenca të krahasueshme me ato të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

I pyetur se çfarë mund ta presë Kosovën nëse Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar, Phillips ishte i shkurtër në përgjigje:

“Turp.”
Deklarata e tij vjen në një moment kur kriza politike dhe institucionale vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore për funksionimin normal të institucioneve të Kosovës dhe raportet e saj me partnerët ndërkombëtarë.

Advertisement