Connect with us

Kronike

U rrit pa të atin, la pas nënën me kancer/ Historia e dhimbshme e gazetarit që humbi jetën sot

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën mëngjesin e së mërkurës gazetarit 26-vjeçar Xhesjon Zogu. I riu po udhëtonte nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës, kur u përfshi në një përplasje të fortë në Urën e Gjolës, në aksin Vorë–Fushë Krujë.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Benz”, që lëvizte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar dhe është përplasur me automjetin tip “Land Rover” që drejtohej nga Zogu dhe po lëvizte në kahun e kundërt.

Përplasja ka qenë e fuqishme dhe të dyja automjetet kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe 26-vjeçari u transportua drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

I plagosur mbeti edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas raportimeve, ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vendngjarje ka nisur puna e grupit hetimor për përcaktimin e saktë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa pritet të përcaktohet nëse parakalimi i gabuar ka qenë shkaku i përplasjes fatale.

Xhesjon Zogu kishte punuar në disa media dhe televizione në vend. Pas humbjes së tij fshihet edhe një histori e vështirë familjare. Sipas të dhënave të publikuara, ai ishte rritur pa të atin, i cili ishte vrarë rreth 20 vite më parë, ndërsa jetonte me nënën e tij, e cila vuante nga një sëmundje e rëndë. Vëllai i tij ndodhet gjithashtu në arrest.

Pavarësisht vështirësive familjare, 26-vjeçari kishte vijuar aktivitetin në fushën e medias, duke ndjekur profesionin e gazetarisë deri në ditën kur një aksident tragjik i ndërpreu jetën.

Advertisement