Connect with us

Lifestyle

Vatikani nis përgatitjet për Krishtlindje: Bredhi i kuq 75 vjeçar, e 28 metra i lartë dhuratë nga Sllovenia

Selia e Shenjtë në Vatikan ka nisur përgatitjet për festat e Krishtlindjes 2020.

Këtë vit do të jenë Krishtlindje ndryshe nga çdo vit tjetër, me rite, mesha e evente institucionale fetare që do të orientohen duke respektuar emergjencën pandemike.

Orari i meshës tradicionale të mesnatës së 24 dhjetorit me shumë gjasa nuk do të jetë më në orën 24.00 por do të përshtatet me limitet e rregullave të “shtetrrethimit” të vendosura nga qeveria italiane.

Konferenca epsikopale italiane CEI, po bashkëpunon ngushtë me Këshillin e Ministrave të qeverisë Conte e në veçanti me Ministrinë e Brendshme dhe Komitetin tekniko-shkencor për hartimin e programit të javës së shenjtë e më datë 1 dhjetor 2020 ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme në Vatikan ku pritet të formulohen orientimet e duhura për Krishtlindjen 2020.

Ndërkohë sheshi “Shën Pietro” në Vatikan ka nisur të zbukurohet me ngjyrat festive. Ka mbërritur në orët e para të mëngjesit të sotëm (30 nëntor 2020) pema e Krishtlindjes që dhurohet çdo vit nga rajone të ndryshme europiane. Kjo është traditë e nisur më 1982 nga Papa Gjon Pali i 2 i cili në këtë vit mori si dhuratë një bredh Krishtlindje sjellë nga Polonia në Romë nga një bujk polak.

Sivjet pema e Krishtlindjes mbërrin nga Sllovenia.

Është një bredh i kuq i moçëm, 75 vjeçar, me peshë 7 tonë, 28 metra i lartë e diametër baze 70 cm në tokë. Bredhi mbërriti nga komuna sllovene Kocevje bashkë me 42 bredha më të vegjël që do të shërbejnë për të zbukuruar ambientet e brendshme të Selisë së Shenjtë.

Dhe dekori i pemëve si dhe me 25 kurora krishtlindje të realizuara me materiale natyrale kanë mbëritur nga Sllovenia, përgatitur nga 400 vullnetarë, të rinj e fëmijë të shoqatave të ndryshme sllovene e të simbolizuar nga ylli kometë me elemente dekorative që kujtojnë gjethet e lulet.

Pranë pemës si çdo vit do të ngrihet dhe shpella monumentale e Betlhemit që simbolizon skenën e lindjes së Jezu Krishtit.

Sivjet mbërritën nga rajoni italian i Abruzzos 54 statuja qeramike, material traditë e këtij territori e pjesë e një koleksioni të realizuar në dekadën 1965-1975 nga nxënësit e institutit artistik “F.A. Grue”.

Konsiderohet një vepër arti bashkëkohore frymëzuar nga arti antik greke e egjiptian, pasuruar me elemente tradicionale abruzzese.

Shpella e Betlhemit do të pozicinohet në një pedanë ndriçuese prej 125 metra e ceremonia e inaugurimit të saj do të mbahet më 11 dhjetor 2020 së bashku me ndezjen e dritave të pemës e do të ndriçojnë sheshin “Shën Pietro” për një muaj deri më datë 10 janar 2021.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *