✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Zhupa: Rama e ka humbur shansin për dialog/ Malaj: I vodhët kauzën studentëve

Debatet për protestën studentore dhe episodet e raportuara të dhunës u zhvendosën edhe në Komisionin e Kulturës, ku pati përplasje mes deputetes demokrate Ina Zhupa dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste.

Zhupa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, duke deklaruar se kreu i qeverisë e ka humbur mundësinë për dialog me protestuesit. Sipas saj, nuk mund të ketë dialog për sa kohë ndaj protestuesve ushtrohet dhunë.

Nga ana tjetër, zv.kryetari i komisionit, Erion Malaj, akuzoi Partinë Demokratike se po përpiqet të përvetësojë kauzën e studentëve, duke pretenduar se opozita ka afruar në protestë persona që nuk përfaqësojnë kërkesat e të rinjve. Ai shtoi se studentët nuk e duan opozitën pranë tyre.

Në debat ndërhyri edhe deputeti socialist Arkend Balla, i cili pretendoi se përfaqësuesit e PD-së ishin përzënë nga protesta e së shtunës. Balla akuzoi opozitën se po përpiqet të rrëzojë qeverinë përmes dhunës, ndërsa iu referua zgjedhjeve si mënyra për të përcaktuar drejtimin e vendit.

Përplasja politike nxori në pah edhe një herë qëndrimet e kundërta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me protestën, përfaqësimin e studentëve dhe përgjegjësinë për tensionet e krijuara.

“Kam kohë që ju dëgjoj të thoni ju erdhi fundi, por që do t’ju vinte fundi ju duke qenë në opozitë, në këtë mënyrë, nuk e kam pritur. Ia bëtë vetes, bravo ju qoftë. Ajo që duhet theksuar, edhe pse studentëve ua vodhët kauzën, i futët brenda një grupimi të papërshtatshëm për atë kauzë të tyre, prapëseprapë, ata jo vetëm që nuk ju votojnë, por nuk ju duan as afër në protest”, tha zv. kryetari Erion Malaj.

Nga ana tjetër Ina Zhupa tha se “Edi Rama e ka humbur shansin për dialog” me protestuesit.

“Sa për dialog, me ata dhe me këdo, Edi Rama e ka humbur shansin e vet për dialog kur i ka mashtruar për 14 vite. Edi Rama e ka humbur shansin për dialog kur i ka masakruar, sepse nuk bën dialog syri me plumbin. Nuk bëhet dialog me dhunë. PD ka 14 vjet që proteston. Nuk ka arritje më të madhe se populli të protestojë vetë kundër qeverisë. Është më i madh populli opozitar në përgjithësi se një parti. PD nuk ka imponuar dhe as do të imponojë ndonjëherë se si duhet bërë, kur apo të ketë monopolin e protestës. PD është në mbështetje të protestës së studentëve”, deklaroi Zhupa.

Në debat ndërhyri edhe deputeti socialist Arkend Balla, i cili iu referua protestës së së shtunës, duke pretenduar se përfaqësuesit e PD-së ishin përzënë nga protestuesit.

“Ju përzunë nga protesta ditën e shtunë. Dërguat gjithë pedagogët ish-deputetë të PD-së, gratë e tyre. Menduat se qeveria rrëzohet me dhunë. Zgjedhjet janë para. Le të fitojë ai që është më i zoti”, u shpreh Balla.

Advertisement