Politike
“Nuk ka më hiq Lolin e vër Colin”/ Rama: Të gjithë në provim kombëtar
Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë një plan të ri për transformimin e administratës publike, duke paralajmëruar ndryshime në mënyrën e punësimit, vlerësimit dhe promovimit të punonjësve shtetërorë. Në qendër të reformës do të jetë e ashtuquajtura “Shkalla e Meritës”, një sistem që synon të lidhë ngritjen në detyrë me performancën dhe rezultatet konkrete në punë.
I shoqëruar nga ministrja e Administratës Publike, Adea Pirdeni, Rama bëri të ditur se kandidatët që synojnë të punësohen në administratë do t’i nënshtrohen një provimi kombëtar unik, i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, duke ndjekur modelin e provimeve të Cambridge.
Kandidatët që kalojnë testimin do të pajisen me një certifikatë me vlefshmëri katërvjeçare, e cila do t’u japë të drejtën të marrin pjesë në konkurset për pozicionet e hapura në administratë. Sipas kryeministrit, sistemi i ri synon të garantojë një proces më transparent dhe të kufizojë ndërhyrjet në provime dhe promovime.
Rama theksoi gjithashtu se vlerësimi nuk do të përqendrohet vetëm te punonjësit, por edhe te drejtuesit e institucioneve. Sipas tij, performanca e drejtuesve do të matet përmes rezultateve të arritura, ndërsa aty ku evidentohen probleme të përsëritura duhet të ketë përgjegjësi.
Një tjetër element i planit është krijimi i Regjistrit Kombëtar të Talenteve. Përmes tij, qytetarët që dëshirojnë të punojnë në administratë do të mund të regjistrojnë kandidaturën e tyre dhe të aplikojnë për vende të lira pune e konkurse, sipas profesionit dhe kualifikimeve.
Reforma, sipas prezantimit të kryeministrit, synon të rrisë profesionalizmin në administratë dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. Megjithatë, zbatimi i saj do të jetë prova kryesore nëse meritokracia do të kthehet në standard real të punësimit dhe karrierës në shtet.