Connect with us

Kronike

Bilanci i një jave/ Policia e Shtetit: 123 të arrestuar

Gjatë kësaj jave janë zhvilluar 23 operacione policore të koduara: “Compensation”, “Tenderat”, “Wares 2”, “Contraband 2”, “Unstoppable”, “Account”, “Diesel 3”, “Doses”, “Five”, “Ndjekja”/Durrës, “Seats”, “Double”, “Ypsilon”, “Sunset”, “Prevent”, “Autumn”, “Zgjedhja e gabuar”, “Ndjekja”/Lezhë, “Help”, “Grecalli”, “Tentativa”, “Four” dhe “Wanted”.

Gjithashtu, janë arrestuar, proceduar 406 shtetas, nga këta: 123 janë arrestuar, 266 janë proceduar penalisht dhe 17 janë shpallur në kërkim.

Janë goditur 8 raste të veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës. 4 operacione policore të finalizuara nga DVP Tiranë dhe 2 nga DVP Durrës, me këtë fokus.

-Si rezultat i tyre, 6 shtetas janë vënë në pranga, 8 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 2 tonë naftë, rreth 3.8 kg ar, paketa me cigare, pajisje elektrike e bujqësore, si dhe mallra të tjera të kontrabanduara.

6 shtetas të kërkuar, janë vënë në pranga gjatë kësaj jave, në Shkodër, Korçë dhe PKK Tushemisht. 5 të ndaluarit ishin shpallur në kërkim për vrasje me dashje, veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe mashtrim.

-I ndaluari në Korçë u kap si rezultat i bashkëpunimit intensiv ndërmjet DVP Korçë, DVP Tiranë dhe FAST Albania, si rezultat i operacionit policor “Wanted“. Ky shtetas ishte i kërkuar për vrasje me paramendim, për hakmarrje, mbetur në tentativë dhe plagosje të rëndë me dashje.

Nga strukturat e DVP Shkodër u identifikua dhe u shpall në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas.

Operacioni policor i koduar “Ndjekja” në Lezhë – U identifikuan dhe u vunë në pranga 2 vëllezërit që vodhën gjatë mesnatës, nën kërcënimin e një kallashnikovi, xhiron ditore të një karburanti dhe u larguan menjëherë me motoçikletë. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan sendet e kundërligjshme të përdorura.

Operacioni policor i koduar “Tenderat” në Tiranë- U vunë në pranga 4 punonjës të Universitetit Bujqësor të Tiranës, për abuzim me disa tendera.

Në fushën e narkotikëve janë finalizuar 6 operacione, nga strukturat e DVP-ve Tiranë, Durrës, Berat, Fier dhe Dibër. Janë sekuestuar rreth 5.8 kg kanabis në proces tharjeje, doza kanabisi e kokaine, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike.

Operacionet “Zgjedhja e gabuar” dhe “Help”, në Lezhë dhe në Kukës, të finalizuara gjatë kësaj jave. 3 shtetas të vënë në pranga për transportimin e 19 emigrantëve në total, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Një sërë rastesh të vjedhjeve janë zbardhur në Tiranë, Durrës dhe Berat, si dhe 5 autorët e dyshuar të tyre janë vënë në pranga.

•Janë lokalizuar dhe kapur 21 persona në kërkim kombëtar.

•Janë goditur 6 raste të armëmbajtjes pa leje dhe janë sekuestruar 8 armë zjarri, 1 armë gjahu, 1 silenciator, 2 thika dhe 1 dorezë.

•Janë evidentuar dhe goditur 22 raste të krimeve mjedisore dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

•Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 36 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 31 raste.

•Janë evidentuar dhe goditur 4 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar të tyre.

Policia Rrugore/Vijon monitorimi i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, duke përdorur mjetet inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

•Gjatë kësaj jave janë pezulluar 368 leje drejtimi, nga të cilat: 297 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 51 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 38 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

•Janë arrestuar 56 drejtues mjetesh, nga këta: 35 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 21 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

•Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 2 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare/Vijojnë kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Të angazhuar për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, shërbim sa më cilësor.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar gjatë kontrollit në vijën e dytë dhe kanë sekuestruar 14 500 euro në Morinë dhe 21 550 paund sterlina në Rinas, të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore, nga 2 shtetas tashmë nën hetim.

•Janë goditur 11 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

•Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 2 për “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe 12 për “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.

Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet “blic”, në çdo qark të vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike.

Njëkohësisht, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me partnerët, do të vijojnë operacionet policore të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

Advertisement