Bota
Audio e frikshme nga Planeti
Për herë të parë në historinë e njerëzimit, tashmë të gjithë mund ta dëgjojmë tingullin që ka fusha magnetike e planetit tonë.
Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), njoftoi se shkencëtarët në Universitetin Teknik të Danimarkës morën sinjale magnetike të regjistruara nga satelitët European Swarm dhe i konvertuan në tinguj. Këta tinguj i ngjajnë më shumë një tigulli të cilin jemi mësuar ta dëgjojmë në filma horror, por e tillë është dhe ideja se një gjë e padukshme e lëshon këtë zhurmë.
(Audion mund ta dëgjioni këtu)
Fusha magnetike rreth planetit tonë nuk mund të shihet apo dëgjohet drejtpërdrejt. Ajo është një “flluskë” komplekse dhe dinamike që na mban të sigurt nga rrezatimi kozmik dhe grimcat e ngarkuara të “erës” së fuqishme diellore. Kur këto grimca përplasen me atome dhe molekula, kryesisht oksigjen dhe azot, në atmosferën e sipërme të Tokës, atëherë disa nga përplasjet kthehen në aurora borealis spektakolare jeshile-blu.
“Treshja” e satelitëve të misionit Swarm të ESA-s, të nisur në vitin 2013, studion fushën magnetike të Tokës duke regjistruar saktësisht sinjalet e saj. Studiuesit dhe muzikantët danezë përdorën këto të dhëna magnetike, si nga bërthama e Tokës, ashtu edhe nga një stuhi gjeomagnetike e krijuar pas një shpërthimi diellor, për ta kthyer atë në tinguj, të cilët tingëllojnë paksa si…një reagim në një makth.