Bota
Pas arritjes së armëpushimit në qytetin ukrainas, banorët tregojnë momentet e vështira: Hëngrëm bar për të mbijetuar
Një armëpushim i përkohshëm ka hyrë në fuqi në qytetin e Oleshky, në Harkiv të Ukrainës, rajon ky që ndodhet nën pushtimin rus.
Sipas autoriteteve ukrainase dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes, armëpushimi po respektohet. Operacioni humanitar pritet të përfshijë dërgimin e furnizimeve jetike dhe pastrimin e rrugëve nga minat, për të krijuar kushte më të sigurta për largimin e banorëve.
Sipas vlerësimeve të Kievit, në Oleshky dhe zonat përreth kanë mbetur deri në 6 mijë persona, mes tyre rreth 200 fëmijë. Përpara pushtimit të Rusisë shkurtin e vitit 2022, Oleshky kishte rreth 24 mijë banorë.
Ndërkohë, edhe largimi nga zona është i rrezikshëm, sepse rrugët janë të minuara dhe të ekspozuara ndaj sulmeve me dronë.
Armëpushimi, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se ishte siguruar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, pritet të zgjasë deri në 1 nëntor, ndërsa operacioni po koordinohet nga përfaqësues të Ukrainës dhe Rusisë për të drejtat e njeriut, me ndërmjetësimin amerikan.