Politike
Begaj nis konsultimet për datën e zgjedhjeve lokale, Bardhi: E përbuz këtë teatër politik, i shërben pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson
Kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi, ka reaguar me tone të ashpra pas njoftimit të Presidentit Bajram Begaj se do të nisë konsultimet me palët politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Ai thekson se, në kushtet kur qytetarët po kërkojnë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Presidenti duhet të reagojë ndaj shqetësimeve të tyre.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson”, shkruan Bardhi, teksa bashkangjitur ka postuar një foto të Edi Ramës dhe Bajram Begajt në Kuvend.