Politike
Protesta më 12 nëntor, Rama zbulon se ku do jetë
Në bisedën me gazetarin Sokol Balla kryeministri Edi Rama u pyet edhe për protestën e opozitës të paralajmëruar më 12 nëntor dhe deklaratat nga Paloka dhe të tjerë se atë ditë do të futen në kryeministri.
“Këta e mendojnë raportin me përfaqësimin dhe mandatin qeverisë si një raport me paralajmërime dhe kërcënimesh në këto kohë që është shumë specifike për të gjithë bashkësinë euro atlantike të cilës i përkasin. Këta meritojnë neveri dhe asgjë tjetër. Janë thjesht ferra në këmbët e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, i komentoi Rama deklaratat e opozitës.
Ndërsa i pyetur nëse do të jetë në zyrë atë ditë, Rama u përgjigj se “nuk jemi këtu duke shkruar këngën e re të Oso Kukës por jemi në një vend anëtar i NATO-s dhe nuk mund të mendohet në këto terma që ‘a do jesh ti në kullë kur të vijë hasmi apo do ia lësh hasmit’. Kjo gjuhë është e papranueshme”.
Opozitën e Sali Berishës dhe Ilir Metës, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar jo si kundërshtarët të tij, por të interesave të shqiptarëve. I ftuar në ‘Real Story’, kreu i qeverisë tha se kjo opozitë po bën në Shqipëri gjithçka që Kremlini dëshiron.
“Nuk janë kundërshtarët e mi, por kundër interesave të shqiptarëve, edhe faktet e kanë treguar lidhja e tyre me paratë ruse nuk është një hipotezë, por është një fakt dhe është një lidhje që nuk është shkëputur, qasja, mënyra dhe argumentet dhe përpjekja për të turbulluar me gjithçka Kremlini dëshiron të ndodh në Shqipëri dhe ka një harmoni se si përgatiten gjërat me forca të ngjashme në vendet e tjera, shqiptarëve që janë shqiptar nuk u takon të kenë asnjë ligje me Kremlinin, por këta e kanë”, tha Rama.