Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Deklarata e ministrit britanik/ Shqipëria ‘Notë Verbale’ Britanisë së Madhe

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King Smith është paraqitur sot në ministrinë e Punëve të Jashtme ku ka marrë një notë verbale mbi deklaratën e ministrit britanik të Emigracionit, Robert Jenrick i cili me tone të ashpra dhe një gjuhë që mund të konsiderohet raciste, bëri thirrje që oficerët e emigracionit të kapnin çdo shqiptar dhe t’i dërgonin drejt Tiranës. Përmes kësaj Note Verbale, Ministria e Punëve të Jashtme, paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. Në reagimin e ministrisë theksohet se kjo retorikë e përsëritur cënon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Në reagimin e bërë të shtunën, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tha se deklarata e ministrit britanik ishte e turpshme dhe tronditëse të bëhej vetëm për të fituar disa vota më shumë.

“Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdori një gjuhë të tillë vetëm për disa vota. “Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin”! Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë  dhe atij të Britanisë së Madhe ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në  kulturë,e konomi dhe shoqërinë e të dy vendeve. Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm!”- shprehej Xhaçka dy ditë më parë në reagimin e saj.

 

Advertisement