Rajon
Vuçiç financon kriminelët dhe mafiozët
Rada Trajkoviç, këshilltare e ministrit serb Nenad Rashiç në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se Serbia e drejtuar nga Aleksandër Vuçiç është financuesi kryesor i Veselinoviçit dhe Radoiçiçit
“Qeveria e Serbisë dhe Vuçiç personalisht, për mendimin tim, janë financuesit kryesorë të kësaj dyshe, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, saktësisht ata janë në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së si kriminelë apo mafiozë transnacionalë dhe mbeten të dyshuarit kryesorë për krimin e vrasjes ndaj Oliver Ivanoviçit. Përkundër gjithë kësaj, ata ende marrin projekte fitimprurëse nga qeveria e Serbisë dhe kryeministrja Ana Brnabiç”, ka thënë Trajkoviç gjatë një interviste për DW.
Për Trajkovic, rruga e Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë Evropa. Sipas saj, serbët në Kosovë janë të frikësuar nga strukturat kriminale serbe, ndërkaq në jug frikësohen siç pretendon ajo nga “ekstremistët shqiptarë”.
“Serbët poshtë Ibrit kohët e fundit ndjehen po aq të frikësuar, por më shumë nga sulmet që vijnë nga shqiptarët ekstremistë” dhe prandaj është e nevojshme të parandalohet shembja e murit të sigurisë dhe të rikthehet ndjenja e lirisë “sepse pa liri nuk ka përparim”, ka deklaruar politikania Trajkoviç, e njohur për kritikat ndaj kryeministrit Kurti, por edhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.