Thinking ...
Connect with us

Politike

RAMA PER BALLUKUN: NUK E MBRON ASKUSH NGA NE

Edi Rama ka folur për herë të drejtpërdrejtë për çështjen që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, duke bërë një ndarje mes hetimit ndaj saj dhe asaj që ai e konsideron shkelje të parimit kushtetues. Kryeministri deklaroi se Balluku ka një çështje me drejtësinë dhe se në këtë proces ajo duhet të mbrojë vetë veten.

“Balluku ka një çështje me drejtësinë. Në atë çështje unë nuk kam thënë asgjë… aty as unë dhe askush nuk e mbron. Aty ajo mbron veten e vet”, deklaroi Rama.

Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër masën e pezullimit të Ballukut nga detyra, duke e cilësuar atë si të paprecedentë.

Sipas Ramës, vendimi i prokurorit dhe gjyqtarit ka cenuar ndarjen e pushteteve, pasi sipas tij, drejtësia ka ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera.

“Prokurori së bashku me një gjykatës u bashkuan në një dhomë dhe vendosën që të bënin kryeministrin, parlamentin dhe presidentin”, tha Rama.

Kryeministri këmbënguli se nuk po mbron Ballukun nga hetimi, por po ngre një çështje parimore për mënyrën se si është marrë vendimi.

“SPAK hyri në territorin tim si kryeministër dhe në territorin tonë si shumicë parlamentare dhe në territorin e presidentit”, deklaroi ai.

Rama tha se institucionet e drejtësisë janë të pavarura nga qeveria, por sipas tij, kjo pavarësi nuk do të thotë se mund të vendosin për kompetencat e pushteteve të tjera.

“Nuk jemi të pavarur nga ligji, ne duhet ta zbatojmë. Ata janë atje të pavarur nga ne. Ata nuk janë të pavarur në pikën që të vendosin për ne”, u shpreh kryeministri.

Duke folur për këtë përplasje, Rama tha se sipas tij është kaluar një vijë e kuqe.

“Aty u shkel vija e kuqe”, deklaroi ai.

Kryeministri u ndal edhe te raste të tjera të drejtësisë, duke përmendur ish-ministrin Ilir Beqaj. Rama tha se edhe në këtë rast nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur personin, por ka kërkuar të shohë provat për akuzat e korrupsionit.

Ndërkohë, në fokus të deklaratave të Ramës ishte edhe situata e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryeministri e cilësoi si “absurd të kryeqytetit” faktin që kryetari i zgjedhur ndodhet në paraburgim, ndërsa vijon të konsiderohet në detyrë.

“Kryetari i zgjedhur të rrijë i mbyllur në paraburgim, absurd i kryeqytetit. E pamundur të komunikosh”, tha Rama.

Deklaratat e kryeministrit rikthejnë në qendër të debatit përplasjen mes pushtetit politik dhe drejtësisë, ndërsa çështja Balluku vijon të jetë një prej pikave më të forta të tensionit mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë.

Advertisement