Politike
KUSH DO KARRIGEN E RAMËS/ LE HAPUR DEREN DHE PARALAJMËRON GARËN E MADHE
Kush po mendon për karrigen e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste, duhet të presë. Kryeministri ka dhënë një mesazh të qartë për figurat socialiste që mund ta shohin veten si pasardhës të tij.
Në një intervistë, Rama ka deklaruar se kur të vijë momenti për largimin e tij nga drejtimi i PS-së, nuk do të jetë ai që do të zgjedhë pasardhësin.
Sipas kryeministrit, drejtimin e partisë duhet ta marrë një figurë që del vetë në skenë, merr përgjegjësinë dhe garon për të udhëhequr socialistët.
“Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Pasardhësi, ose pasardhësja, kushdo qoftë, të dalë e të marrë përsipër Partinë Socialiste”, është shprehur Rama.
Mesazhi shkon edhe për ata që mund të kenë nisur llogaritjet për ditën pas Ramës.
Kryeministri u kërkon socialistëve të mos mendojnë se “kujt i vjen radha”, por të fokusohen te detyra dhe ndërtimi i karrierës së tyre politike.
“Mos mendoni se kujt i vjen radha, se dera është e hapur. Bëni yzmetin karrierës suaj dhe figurës suaj duke bërë detyrën tuaj”, ka deklaruar ai.
Rama ka bërë të ditur gjithashtu se, edhe pas largimit nga drejtimi i PS-së, nuk ka ndërmend të largohet nga partia. Ai thotë se do të mbetet anëtar i organizatës socialiste në Surrel dhe nuk do të qëndrojë në prapaskenë për të mbështetur një pasardhës të caktuar.
“Unë do jem anëtar i organizatës së Surrelit… nuk do largohem nga partia dhe nuk kam ndërmend të rri në patronazh për askënd”, është shprehur kryeministri.
Deklaratat e Ramës hapin kështu garën për ditën pas tij në Partinë Socialiste, duke lënë të qartë se stafetën nuk do ta japë vetë kryetari, por ajo do të kërkohet përmes një gare brenda partisë.