Politike
Bamir Topi: Berisha ka klonuar edhe 100 të tjerë si vetja
Ish-presidenti Bamir Topi ka folur për situatën në Partinë Demokratike teksa luftën për vulën dhe siglën e cilëson si mjerim politik. Në një intervistë për ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga dhe analistin Lorenc Vangjeli, Bamir Topi u shpreh se Sali Berisha ka klonuar edhe 100 të tjerë të rinj si vetja që artikulojnë njësoj si ai, ndaj mungon shpresa për qytetarët.
“E lexoj shumë mirë vendimin e Apelit. Në prill 2008 i kam thënë Sali Berishës: Së pari këto ndryshime që po bëhen po prishin disa gjëra dhe një ndjesi timen, sot je në pushtet, nesër po erdhi ai që ti e ke gatuar, nuk zbret më nga pushteti. Koha e konfirmoi. E them këtë sepse e gjithë kjo situatë është historia e një kurthi që në planin politik është organizuar me mjeshtëri ndër vite nga Rama. Ka inteligjencë të nevojshme për procesin e nuhatjes me funksion pastrimin. Berisha punon brenda oborrit të vet.
Në emër të asaj sigle ke spastruar njerëz pa fund. Unë nuk e kam për individin por për të tjerët. Ky individ (Berisha) nuk ndejti për të mbyllur ciklin e tij, ka klonuar edhe 100 të tjerë. Sheh sot njerëz në moshë të re që kanë mbaruar universitete që varfërojnë fjalorin e tyre dhe e sinkronizojnë me fjalorin empirik të Sali Berishës, atëherë ku është shpresa? Vula dhe sigla konsiderohet mjerimi politik, pjesa malinje që e shfrytëzon dhe mungesa e shpresës për qytetarët”, tha Topi.