Aktualitet
Masakra në ‘Don Bosko’/ Zbardhet ngjarja: Atentati zgjati 23 sekonda
Zbardhen detaje të reja lidhur me masakrën në Don Bosko.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për kryerjen e këtij atentati, kanë marrë pjesë të paktën 5 persona.
Burimet bëjnë me dije se dy persona kanë pasur rolin e vëzhguesit. Ata kanë lëvizur me motor, një ditë para ngjarjes e deri pak minuta para kryerjes së atentatit.
Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, është afruar automjeti tip BMË, ku dy persona kanë dalë dhe kanë qëlluar, ndërsa shoferi ka qëndruar brenda.
I gjithë momenti i atentatit ka zgjatur jo më shumë se 23 sekonda.
Më pas autorët janë larguar me shpejtësi, duke ndjekur itinerarin nga Spitali i Traumës, në drejtim të autostradës, e më pas në fshatin Likmetaj, ku edhe kanë djegur automjetin, bashkë me tre armët.
Aty janë pritur nga një tjetër automjet dhe janë larguar. Ka dyshime të forta se armët që u gjetën në automjetin e djegur në Likmetaj, të jenë përdorur në të paktën dy ngjarje të tjera kriminale.
Burimet shtojnë se shenjestër ka qenë pronari i lokalit dhe meqenëse ata nuk e kanë ditur se është larguar në fshehtësi nga Shqipëria, kanë kryer atentatin.
Nga grupi hetimor janë marrë në pyetje edhe personat që mbetën të plagosur në lokali, por edhe të afërm dhe familjarë të Fatjon Muratit që ishin në lokal, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë patur konflikt me askënd.
Po ashtu policia vijon me sekuestrimin e kamerave të sigurisë edhe rrugët që kanë ndjekur autorët deri sa kanë shkuar në fshatin Likmetaj dhe kanë djegur makinën.