Connect with us

Kosova

Ukraina s’njeh Kosovën! Tritan Shehu: Zelenski krah Vuçiç bëri ‘gafë’ politike

Nga Tritan Shehu 

Per Kosovën, Zelensky bën një deklaratë të “papërshtatshme” krah Vuçiç.

Në lidhje me Pavarësinë e Kosovës ai tha:

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë, respektojmë të drejtën ndërkombëtare, prandaj qëndrimi ynë lidhur me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. Ne gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar.”

Kështu, ai e konsideron Kosovën edhe një çështje të lidhur me “integritetin territorial” të Serbisë, që do të thotë pjesë të saj, pikërisht ashtu si Putini konsideron Ukrainën!

Pra, problemi nuk qëndron vetëm te “shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, siç ai e vlerëson, por edhe te integriteti i Serbisë, çështje këto për të cilat, sipas tij, “Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrim”.

Gjykoj se Zelensky duhet të kishte evituar një përgjigje të tillë të “ashpër”, krejt jashtë realitetit e të vërtetës historike, në mbështetje të Serbisë.

Së pari, sepse besoj se ai tashmë e ka kuptuar qartë ç’do të thotë të pushtohesh e të pësosh gjenocid, siç po ndodh në Ukrainë nga Rusia e siç ka ndodhur në Kosovë nga Serbia.

Gjithashtu, Zelensky, jam i bindur se njeh faktin që Kosova u mbështet ushtarakisht nga NATO, SHBA etj., për t’u çliruar nga Serbia, siç po ndodh edhe sot në përpjekjet për të shpëtuar Ukrainën nga Rusia, partnere e aleate e fortë kjo me Serbinë.

Historia përsëritet!

Po kështu, Zelensky besoj se e di që pavarësinë e Kosovës e deklaroi Presidenti Bush në Tiranë dhe sot ajo njihet nga 111 shtete të OKB-së, BE-së, NATO-s etj., pra nuk është “shpallje e njëanshme”, siç ai e konsideron “gabimisht”.

Ndërkaq, Zelensky duhet të kujtojë se Shqipëria, por edhe Kosova, u rreshtuan qartazi që në ditët e para në krah të Ukrainës, popullit të saj të agresuar nga Rusia, i ngjashëm ai me agresionin millosheviçian në Kosovë!

Gjykoj se Zelensky duhet të ishte më i kujdesshëm për këtë temë tejet të rëndësishme, jo thjesht të së drejtës ndërkombëtare, të vërtetës, njerëzore, morale e vlerave, por edhe për të mos krijuar diskordanca me ato shtete që luftuan për pavarësinë e Kosovës.

Dhe që sot, për ato motive themelore, po “luftojnë” për Ukrainën!

Për këto e të tjera motive, e konsideroj një “gafë” politike atë deklaratë krah Vuçiçit!

Shpresoj të ketë qenë një “lapsus”!

Advertisement