Kosova
Çollaku: Takimi në Ohër do të prodhojë një dramë tjetër
Të shtunën më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë mbahet takimi i nivelit të lartë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa si nikoqirë do të jenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i mbështetur nga emisari special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, raporton Klankosova.tv.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Kosovë.
Gjatë takimit të sotëm me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, ai tha se pret rezultat pozitiv në Ohër.
“Jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj që pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, u shpreh Escobar.
Kurse, edhe presidentja Osmani theksoi angazhimin e Kosovës në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive.
“Një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirës, ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv”, tha Osmani.
Në takimin e thirrur nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe ai për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Vuçiq do të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në lidhje me takimin e së shtunës midis Kurtit dhe Vuçiqit, Borrelli në kolumnen e tij të botuar të enjten në faqen zyrtare të BE-së, shkroi se “diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE”.
Lidhur me takimin e nesërm në Ohër, Bekim Çollaku, ish-ministër i Integrimeve Evropiane dhe njohës i proceseve integruese, për Klankosova.tv thotë se pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian.
“Takimi i radhës në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër në Ohër, pritet të sjellë progres në aspektin e negociatave për aneksin e planit zbatues të planit evropian, për të cilin palët tashmë janë pajtuar. Sigurisht që pritjet e partnerëve ndërkombëtarë janë që të përmbyllen negociatat për aneksin e kësaj marrëveshje, respektivisht planit zbatues”, thotë Çollaku.
Por, në pyetjen se a do të arrihet nesër marrëveshje mes palës së Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se duhet të pritet përfundimi i takimit fillimisht, për të cilin është i sigurt se do të sjellë një dramë tjetër të procesit.
“Mbetet që të presim epilogun e takimit të nesërm. Një gjë është e sigurt, takimi i nesërm pritet të prodhojë edhe një dramë tjetër në kuadër të këtij procesi maratonik”, thotë Çollaku.
Mirëpo, nga vizita e Escobarit të mërkurën dhe të enjten në Beograd dhe takimit me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministren Bërnabiq, ata kanë diskutuar për mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe kompromisit në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së dhe për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kurse, në takimin me përfaqësuesit e opozitës serbe, Escobari u tha gazetarëve në Beograd se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe është e qartë se ky është një detyrim i përcaktuar në dokumente të shumta.
Megjithatë, Escobari tha se nuk pret që të shtunën të nënshkruhet marrëveshja në Ohër, por do të ishte i kënaqur me një marrëveshje për të ecur përpara.
Në fund të javës së kaluar, Miroslav Lajçak erdhi në Kosovë për të takuar krerët e Kosovës si përgatitje për takimin e 18 marsit në Ohër. Në takimin e tij me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, dhe kryenegociatorin Bislimi, Lajçaku tha se ka diskutuar me ta pikëpamjet dhe agjendën e takimit mbi zbatimin e modaliteteve nga marrëveshja e 27 shkurtit.
Gjithashtu, gjatë vizitës dyditëshe në Prishtinë, Lajçaku u takua me liderët opozitarë për t’i sqaruar me ta mospajtimet që kanë lidhur me marrëveshjen dhe për hapat e ardhshme të saj.
Deri sot, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e rezervuar për gjithë procesin e dialogut rreth marrëveshjes, ku sipas kryetarit të saj, Memli Krasniqit kjo marrëveshje “pa njohje të ndërsjellë, por me asociacionin në qendër, do të ketë vazhdim të dialogut, që krijon një status-quo të re”.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por vetëm me njohjen e ndërsjellë, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se “Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.
E vetmja nga opozita ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka përkrahur që nga fillimi plotësisht të gjithë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryetari i saj, Ramush Haradinaj thotë se kjo marrëveshje “është kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin tonë të qëndrueshëm drejt integrimeve euroatlantike”.
Çollaku, po ashtu edhe ish-shef i stafit i ish-Presidentit Hashim Thaçi, qasjen e opozitës ndaj procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit e vlerëson si konstruktive nga fillimi deri tash, meqenëse kjo nuk nënkupton që “plani evropian apo marrëveshja aktuale do ta marrë mbështetjen e plotë të tyre, për shkak se marrëveshja nuk përmban njohjen reciproke dhe imponon një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb në Kosovë”.
“Partitë opozitare kanë premtuar se nuk do të përdorin asnjë formë anti-demokratike për ta penguar këtë marrëveshje, siç ka ndodhur në të kaluarën. Në çdo rrethanë, kryeministri Kurti e ka pranuar planin evropian dhe tani e ka përgjegjësinë shtetërore për të nënshkruar atë dhe duke qenë se i ka votat e mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshje, duhet ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim”, ka thënë Çollaku.
Ndërkohë, pas vizitës në Prishtinë, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shkoi në Beograd për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe partitë opozitare për të diskutuar edhe me ta rolin e zbatimit të aneksit të marrëveshjes së planit evropian të 27 shkurtit para takimit të shtunën më 18 mars në Ohër.
Pas përfundimit të takimit të Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd, këshilltarët e liderëve evropianë, Emmanuel Bonne, Jens Plotner, Francesco Talo publikuan një deklaratë të përbashkët në lidhje me procesin e marrëveshjes së planit evropian midis palës kosovare dhe serbe, të cilën ata e mbështesin dhe thonë se momenti i arritjes së marrëveshjes është tash për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
“…Kjo situatë duhet të marrë fund, sepse qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë meritojnë një të ardhme më të mirë. Një e ardhme në të cilën do të kapërcehen përfundimisht mosmarrëveshjet që po e pengojnë përparimin e të dyja vendeve. Kjo e ardhme hap rrugën drejt ndërtimit të raporteve miqësore, bashkëpunimit rajonal dhe një tregu të përbashkët. Dhe ajo e ardhme, në fund të fundit, hap rrugën për realizimin e premtimit të dhënë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian si partnerë të barabartë, sapo të plotësojnë kriteret. Mundësia për ta nisur këtë të ardhme është tani”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të Macron, Scholz dhe Melonit.
Vizitat e Lajçakut dhe Escobarit në Prishtinë dhe Beograd para takimit në Ohër, Çollaku i sheh si angazhim të thellë të BE-së dhe SHBA-së arritjen e marrëveshjes, sepse ato “duan të krijojnë një status quo të re më të mirë dhe më të qëndrueshme në aspektin e sigurisë, krahasuar me situatën e brishtë ekzistuese”.
“Pritjet e tyre janë pozitive, mirëpo ende ka dilema tek palët negociuse. Në rast se nuk ka marrëveshje nesër, atëherë kjo nënkupton që përpjekjet për të arritur atë, do të vazhdojnë në takimet e radhës”, tha Çollaku.
Takimi i fundit i nivelit të lartë për dialogun Kosovë-Serbi për planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve u mbajt më 27 shkurt në Bruksel.