Connect with us

Bota

Erdogan kandidon zyrtarisht në zgjedhjet presidenciale të 14 majit

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paraqiti zyrtarisht një kërkesë në Këshillin e Lartë Zgjedhor të Turqisë për t’u regjistruar si kandidat presidencial për zgjedhjet e ardhshme të 14 majit. Sipas mediave turke, përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit mbërritën në Këshill të martën për të dorëzuar dokumentet e regjistrimit.

Aktualisht, 18 politikanë deklaruan synimin e tyre për të kandiduar për postin më të lartë shtetëror. Kryetari i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane, Kemal Kilicdaroglu konsiderohet si konkurrenti kryesor i Erdoganit.

Përfaqësuesit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim shoqëroheshin nga përfaqësues të Partisë Lëvizja Nacionaliste, e cila vepron në aleancë me partinë në pushtet. Ata deklaruan se të dy partitë vendosën të emërojnë Erdoganin si kandidat të vetëm dhe depozituan të gjitha dokumentet e nevojshme në Këshillin e Lartë të Zgjedhjeve, siç është përcaktuar nga ligji.

Zgjedhjet presidenciale në Turqi do të mbahen më 14 maj, njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare. Për të fituar në raundin e parë, një kandidat presidencial duhet të sigurojë mbi 50% të votave. Ndryshe do të zhvillohet një raund i dytë, në të cilin dy kandidatët me mbështetjen më të lartë do të garojnë kundër njëri-tjetrit. Zgjedhjet e mëparshme presidenciale u zhvilluan më 24 qershor 2018  ku Erdogan fitoi me 52.6% të votave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Erdogan, deklaroi se nëse arrin të fitojë në zgjedhjet presidenciale të 14 majit, do të tërhiqet nga politika në fund të mandatit të tij.

Advertisement