Connect with us

Bota

Trump teston Putinin dhe Zelenskyn, plani i paqes shkon në Kiev

Donald Trump po rikthen në qendër të diplomacisë ndërkombëtare një nga dosjet më të vështira: përpjekjen për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Pas më shumë se tre orësh bisedime në Kremlin me Vladimir Putinin, të dërguarit e presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvendosur misionin diplomatik drejt Kievit, ku pritet të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Takimi në Moskë solli tone pozitive, por jo një marrëveshje konkrete. Nga Kremlini bisedimet u cilësuan të dobishme, ndërsa pala amerikane i përshkroi si substanciale. Megjithatë, përmbajtja e plotë e propozimit të Uashingtonit nuk është bërë publike dhe deri tani nuk është njoftuar ndonjë kompromis mes palëve.

Trump ka konfirmuar se Witkoff dhe Kushner po lëvizin mes Moskës dhe Kievit me një propozim amerikan për përfundimin e luftës.

Por pikërisht këtu nis pjesa më e vështirë.

Ajo që mund të konsiderohet e pranueshme për Putinin, nuk do të thotë domosdoshmërisht se mund të pranohet nga Zelensky.

Moska vazhdon të kërkojë zgjidhjen e atyre që Putin i quan “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, ndërsa çështja e territoreve të pushtuara dhe e së ardhmes së Ukrainës në NATO mbetet ndër pengesat kryesore.

Nga ana tjetër, Kievi ka kundërshtuar vazhdimisht çdo zgjidhje që do ta detyronte të pranonte humbjen e territoreve nën presionin rus.

Vizita e delegacionit amerikan ka sjellë gjithashtu një ulje të përkohshme të tensionit rreth dy kryeqyteteve. Por kjo nuk duhet ngatërruar me një armëpushim të luftës. Bëhet fjalë vetëm për një dritare diplomatike, ndërsa konflikti në terren vazhdon.

ANALIZA NTV

Takimi në Kiev mund të rezultojë edhe më vendimtar se ai në Moskë.

Witkoff dhe Kushner tashmë kanë dëgjuar drejtpërdrejt pozicionin e Putinit. Tani duhet të kuptojnë se cilat janë vijat e kuqe të Zelenskyt dhe nëse ekziston realisht një hapësirë ku dy palët mund të afrohen.

Nëse Moska dhe Kievi mbeten të palëkundura në pozicionet e tyre, kjo fundjavë diplomatike mund të përfundojë si shumë tentativa të tjera: me deklarata optimiste, por pa marrëveshje.

Nëse, përkundrazi, nga Kievi del një sinjal për negociata konkrete, Trump mund të tentojë fazën tjetër: kalimin nga diplomacia e ndërmjetësuar në negociata reale mes palëve.

Për momentin, paqja ende nuk është arritur.

Por Uashingtoni po përpiqet të zbulojë nëse, pas më shumë se katër vitesh luftë, ekziston më në fund një pikë ku Putin dhe Zelensky mund të ulen në të njëjtën tavolinë.

 

Advertisement