Aktualitet
Dy “skifterë” shqiptarë grabisin shtëpinë e biznesmenes së njohur spanjolle
Influencuesja dhe sipërmarrësja e njohur spanjolle, Rocío Osorno ka përjetuar një nga netët më të frikshme të jetës së saj, pasi ka kapur në flagrancë dy persona të maskuar brenda shtëpisë së saj, ndërsa ajo dhe familja e saj ndodheshin brenda.
Sipas rrëfimit të vetë Osornos në rrjetet sociale, ajo ndodhej në katin e sipërm të banesës, ku po realizonte disa regjistrime për rrjetet sociale, kur vuri re se një dritare e dhomës, e cila zakonisht qëndron e mbyllur, ishte hapur.
Në atë moment ajo kuptoi se diçka nuk shkonte dhe se në shtëpi kishte persona të tjerë. Osorno ka nisur të bërtasë për të paralajmëruar familjarët dhe për t’u siguruar që të gjithë të qëndronin të sigurt.
Në video shihen qartë dy grabitësit shqiptarë, të veshur me kapuçë dhe të pajisur me elektrik dore në kokë, teksa lëvizin me shpejtësi nëpër garderobë dhe kontrollojnë sirtarët e bizhuterive dhe raftet në kërkim të sendeve me vlerë.
Pamjet tregojnë edhe momentin kur grabitësit kuptojnë se janë zbuluar. Ata dëgjohen duke folur shqip dhe nxituar për të marrë çfarëdo që u del para.
Në video duket pronarja duke vrapuar nëpër korridor për t’u larguar nga rreziku, ndërsa dy autorët largohen me shpejtësi përmes dritares./Abc.es