Aktualitet
Shkollat nën vëzhgim të Policisë/ Hita: Kontrolle për drogën, armët dhe konfliktet
Siguria në shkolla, parandalimi i krimit dhe reagimi i shpejtë ndaj shqetësimeve të qytetarëve kanë qenë në fokus të takimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skender Hita, me strukturat e Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës.
Gjatë takimeve, Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndjekjen e konflikteve dhe denoncimeve të qytetarëve, si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo merren me shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë në shkolla, në prag të nisjes së procesit të ri mësimor.
Hita kërkoi që shërbimet e Policisë të jenë maksimalisht të angazhuara në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt për nxënësit.
Shefat e Komisariateve janë porositur që ta ndjekin çdo ditë situatën dhe të trajtojnë drejtpërdrejt çdo shqetësim që lidhet me sigurinë e nxënësve.
Në perimetrin e shkollave do të përqendrohen edhe strukturat e antidrogës, “Shqiponjat” dhe shërbimet operacionale, me synim parandalimin e shitjes së drogës dhe konflikteve mes nxënësve.
Në fokus do të jetë edhe siguria rrugore. Drejtori i Përgjithshëm kërkoi intensifikimin e monitorimit të qarkullimit dhe përdorimin e mjeteve inteligjente për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkeljeve.
Hita kërkoi gjithashtu që drejtuesit vendorë të Policisë të mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën e sigurisë në territorin që mbulojnë dhe të reagojnë shpejt ndaj problematikave.
Një tjetër porosi ishte forcimi i komunikimit me qytetarët. Drejtuesit e Komisariateve dhe të qarqeve duhet të presin dhe dëgjojnë qytetarët për problematikat që lidhen me Policinë.
Takimet e Drejtorit të Përgjithshëm do të vijojnë edhe në Drejtoritë e tjera Vendore të Policisë dhe në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.