Connect with us

Kosova

Prekazi, dosja që rihap plagën/ 2 mijë forca, 35 të akuzuar pas 28 vitesh

Një aktakuzë e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës po nxjerr në dritë detaje të forta mbi mënyrën se si u përgatit dhe u zhvillua sulmi ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Pas 28 vitesh, 35 ish-zyrtarë dhe drejtues të strukturave serbe janë vënë nën akuzë për krime lufte kundër popullsisë civile.

Sipas dosjes së Prokurorisë, sulmi nuk ishte një aksion i improvizuar në terren. Përgatitjet kishin nisur më herët, lagjja e Jasharëve ishte vënë nën vëzhgim dhe në zonë ishin dislokuar njësi të shumta speciale, mjete të blinduara, tanke dhe armatim i rëndë.

Një nga dëshmitarët e përfshirë në aktakuzë, ish-pjesëtar i forcave serbe, ka deklaruar se në operacion ishin angazhuar rreth 2 mijë policë nga rajone të ndryshme.

Në qendër të strukturës drejtuese, sipas Prokurorisë, ishte Jovica Stanishiq, atëherë drejtues i Sigurimit të Shtetit serb. Në dosje shfaqen gjithashtu emrat e Vlastimir Gjorgjeviqit, Sreten Lukiqit, Goran Radosavljeviqit – i njohur si “Guri” – dhe Milorad Ulemekut, i njohur si “Legia”.

Sipas aktakuzës, Njësia për Operacione Speciale e drejtuar nga Ulemek kishte monitoruar lëvizjet në zonën e Jasharëve dhe kishte marrë rol të drejtpërdrejtë në operacion.

Dosja përshkruan një rrethim të gjerë të Prekazit të Poshtëm, me njësi të vendosura në pozicione të ndryshme për të kontrolluar hyrjet dhe daljet nga lagjja.

Sulmi nisi në mëngjesin e 5 marsit dhe përfundoi më 7 mars 1998.

Prokuroria ka ngritur akuzat për vrasjen e 26 civilëve, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar. Por ky numër nuk përfaqëson të gjithë të vrarët gjatë sulmit. Ai përfshin vetëm personat që Prokuroria ka klasifikuar si civilë në këtë procedim penal.

Dokumentet historike ndërkombëtare japin një tablo edhe më të rëndë. Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se të paktën 54 persona u vranë gjatë operacionit në kompleksin e Jasharëve, shumica pjesëtarë të familjes, ndërsa Human Rights Watch raportonte se 58 trupa u varrosën pas sulmit.

ANALIZA NTV

Pesha e aktakuzës së re nuk qëndron vetëm te numri i të akuzuarve.

Ajo që e bën dosjen të rëndësishme është pretendimi se sulmi i Prekazit ishte rezultat i një strukture të organizuar komanduese, me planifikim paraprak, survejim, njësi speciale dhe armatim të rëndë.

Nëse këto akuza provohen në gjykatë, çështja nuk do të mbetet vetëm te përgjegjësia e atyre që qëlluan në terren.

Pyetja do të ngjitet lart në zinxhirin e komandës:

Kush e planifikoi? Kush dha urdhrat? Kush autorizoi përdorimin e një force të tillë kundër një zone ku ndodheshin edhe gra, fëmijë dhe të moshuar?

Dhe këtu qëndron rëndësia e procesit që hapet 28 vite më vonë.

Për dekada, Prekazi është kujtuar si një nga ngjarjet themelore të luftës së Kosovës dhe si momenti që ndryshoi rrjedhën e rezistencës shqiptare.

Sot, për herë të parë, Prokuroria Speciale e Kosovës po përpiqet ta shndërrojë këtë histori edhe në një dosje konkrete penale kundër 35 personave të identifikuar në strukturat komanduese serbe.

Por duhet bërë një ndarje e qartë: aktakuza nuk është vendim fajësie. Të 35 personat janë të akuzuar dhe është Gjykata ajo që duhet të vlerësojë provat dhe të përcaktojë përgjegjësinë individuale.

Megjithatë, një fakt historik është dokumentuar prej kohësh edhe jashtë Kosovës: sulmi i marsit 1998 në Prekaz përfshiu forca të shumta serbe, armatim të rëndë dhe përfundoi me dhjetëra viktima, mes tyre civilë, gra dhe fëmijë.

Pas 28 vitesh, pyetja nuk është më vetëm çfarë ndodhi në Prekaz.

Pyetja është:

A do të ketë më në fund përgjegjësi penale për ata që dyshohet se e planifikuan dhe drejtuan atë operacion?

#NTV #NTVNews #Kosova #Prekaz #AdemJashari #FamiljaJashari #UÇK #KrimeLufte #ProkuroriaSpeciale #Serbia #Drenica #HistoriaEKosovës

Advertisement