Connect with us

Rajon

Vuçiç: Do bëjmë përpjekje për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka deklaruar sot se do të bëjnë shumë përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me Prishtinën.

“Premtimi i vetëm që mund t’ju jap është se ne do të bëjmë më të mirën dhe do të bëjmë shumë përpjekje për të normalizuar në thelb marrëdhëniet me Prishtinën, se a do t’ia dalim do ta shohim.”, ka thënë Vuçiç.

Ai, gjatë një konference për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdulla bin Zayed Al Nahyan, ka thënë se i ka dërguar ftesë presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe edhe për çështjen e Ballkanit të Hapur.

“Unë i kam dërguar edhe një ftesë të veçantë Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe për çështjen e Ballkanit të Hapur, ndaj të flasim, sepse për ne të gjitha pikëpamjet e tij apo qëndrimet politike të Emirateve të Bashkuara si dhe mbështetja ekonomike e investimeve janë të një rëndësie të madhe, prandaj i falënderoj edhe një herë dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt edhe në vizitën e tij.”, ka thënë ai.

Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdulla bin Zayed Al Nahyan është shprehur se vendi i tij mbështet marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë çështje, ai ka thënë se janë të sigurtë se për të arritur rezultat kërkohet guxim dhe lidership.

“Vendi ynë përshëndeti marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke uruar që të gjitha vendet e Ballkanit të përfitojnë, në tejkalimin e konflikteve dhe hapjen e një faqeje të re dhe për vendosjen e bashkëpunimit rajonal. Vendi ynë beson gjithashtu në rëndësinë e përpjekjeve të mëtejshme për të arritur një rezultat që do të kënaqë të gjitha palët, ne jemi të sigurt se kjo detyrë kërkon guxim dhe lidership, dhe jemi gjithashtu të bindur se nën udhëheqjen e Presidentit Vuçiç, është e mundur të arrihet një ndryshim cilësor në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që do të shtynte që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e tjera të investonin në të dy vendet.”, është shprehur ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdulla bin Zayed Al Nahyan ka shtuar se Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin të gjitha zhvillimet që synojnë arritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe më gjerë.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdulla bin Zayed Al Nahyan dje ka qëndruar për vizitë në Kosovë, me ç’rast, ka takuar kryeministrin Albin Kurtin dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën.

Advertisement