Aktualitet
Zgjedhjet/ Perëndimin dërgon vëzhguese, ‘makthin’ e politikës
Audrey Glover është caktuar sërish Shefe e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Glover do të qëndrojë në Shqipëri ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe drejtues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të partive politike.
Bashkë me Glover, në Shqipëri ka ardhur dhe një mision i ODIHR me 324 vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet lokale të 14 majit. Glover është caktuar edhe pesë herë të tjera si shefe e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Fillimisht ajo ka ardhur në vendin tonë për zgjedhjet politike të vitit 1996, më pas në vitin 2009, 2015, 2019 e 2021.
Audrey Glover është një figurë e njohur në Shqipëri, pasi është përballur dhe me akuza të forta nga kryedemokrati Sali Berisha. Më 26 maj të vitit 1996, Glover firmosi një raport që i cilësonte zgjedhjet si jo të lira dhe të ndershme dhe nga kjo pikë nisën përplasjet me Berishën, që në atë kohë ishte President.
Ka qenë një vendim që do ta vendoste prej atij momenti, në kurs përplasjeje me presidentin e kohës Sali Berisha. Berisha e ka konsideruar Glover si një mbrojtëse të Ramës dhe ‘kapomafie’. Ai ka treguar edhe se si në vitin 2009 ka pranuar ardhjen e Glover vetëm që Opozita e asaj kohe e drejtuar nga Edi Rama të mos braktiste zgjedhjet.
“Në vitin 2009 ajo erdhi përsëri në krye të misionit të ODHIR-it. E pranova atë vetëm sepse Edi Rama, po ta refuzonte, do të bojkotonte zgjedhjet, por ajo, që në periudhën parazgjedhore u shndërrua në një zëdhënëse të Edi Ramës, shpifjeve dhe trillimeve të tij. Pasi zgjedhjet u zhvilluan normalisht, ajo, hartoi pas dy muajsh një raport tërësisht tendencioz përsëri pa asnjë fakt dhe të pavërtetë. Kështu që, ardhja e saj si aleate e mike e ngushtë e kahershme e Partise Socialiste ngjall te shqiptarët, së paku tek populli opozitar, mosbesim të madh në objektivitetin në monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri prej saj, duke patur parasysh qëndrimet e saj të shkuara të zgjedhjeve në Shqipëri,”- shprehej Berisha.