Connect with us

Politike

Metaj i përgjigjet Berishës: Zëdhënëset e doktorit janë punësuar në televizionet e Ramës

 Anëtarja e AMA-s dhe gazetarja Desada Metaj ka reaguar pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e përmendi në Kuvend. Me ironi, Metaj thotë se nuk e ka pasur fatin e zëdhënëseve të Berishës, të cilat janë sistemuar në televizionet e Ramës dhe Veliajt, kundrejt pagave të majme. Po ashtu, ajo shton se ka vijuar dhe do vijojë të shkruajë lirshëm mendimin e saj për Berishën, Ramën, Veliajn madje edhe për Bashën.

“Dëgjova që më kishte përmend sot Berisha në parlament si produkt i marrveshjes Rama – Basha. Unë vërtet se kam pas fatin e zëdhënëseve të doktorit që ai i ka sistemuar në televizionet e Ramës dhe Veliajt me rroga të majme.

Thjesht vazhdoj të shkruaj si njeri i lirë e ca orë para se të fliste Berisha kam shkruar se ç’mendoj për të, për Ramen, Veliajn… madje dhe për Bashën”, shkroi Metaj.

Çfarë tha sot Berisha?

Kreu i Partisë Demokratike, teksa ishte duke folur në sallën e Kuvendit, kërkoi shkrirjen e institucionit të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Ai deklaroi se në krye të institucionit janë vendosur zëdhënëset e ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Sot diskutohet këtu për AMA-n, ai është një institucion i arkivuar. AMA është kompromisi më i shëmtuar Rama-Basha. Që të dy kanë vendosur si kurrë në historinë e atij institucioni, zëdhënëset e tyre. E çfarë mund të presësh ti. Të dy janë një! Si ajo zonja Amela, si ajo tjetra që ishte zëdhënësja reale e Bashës, e Bravës. Faktikisht Edi Rama ka sot kontroll të plotë mbi AMA-n. E para, duhet të ndryshojë ligji dhe të hiqen zëdhënëset nga AMA. Nëse nuk duam të tallemi me Europën.”

Advertisement