Kronike
Vrasësi i Nikulajt ishte nga Shkodra/ Ndërtohet profili
Teksa ka kaluar një javë nga vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, policia nuk ka ende asnjë person të dyshuar si autorin e krimit. Megjithatë, prokuroria ka krijuar një profil të vrasësit me provat e mbledhura deri më tani. Sipas këtij profili, personi që dyshohet se qëndron pas vrasjes së biznesmenit është me origjinë nga Shkodra.
Dyshimet për këtë kanë lindur pas kqyrjes së itineratit që ka përshkuar personi në fjalë, i cili mendohet të jetë mes 30 dhe 40 vjeç. Autori dyshohet gjithashtu të ketë pasur akses dhe në kamerat e sigurisë së hotelit të viktimës.
Në këtë mënyrë ai ka arritur që ta mbajë nën vëzhgim 51-vjeçari dhe ka ditur fiks momentin kur ai ishte vetëm brenda në lokal.
Por, për të dalë në përfundime më të sakta, po ekzaminohet serveri si dhe qelizat telefonike të përsonave për të cilët ka dyshime të kenë lidhje me ngjarjen.
Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit. Autori, siç u pa nga pamjet, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent. Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.