✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

EMRI/ Po punonte për asfaltimin e rrugës, 20-vjeçari shqiptar humb jetën në Itali

Një i ri shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës në Valtopina të Italisë. Rogert Ajdini, 20 vjeç, banues në Trevi, u përfshi në një aksident gjatë punimeve për asfaltimin e një rruge.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën Santa Cristina, ku i riu ishte duke punuar së bashku me punonjës të tjerë. Sipas informacioneve paraprake të mediave italiane, mjeti rrafshues i asfaltit që ai po drejtonte është përmbysur, duke e zënë poshtë të riun.

Kolegët e tij kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, por plagët e marra kanë qenë tepër të rënda dhe pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Në zonë mbërritën gjithashtu karabinierët, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Shkaqet që çuan në përmbysjen e mjetit dhe mënyra se si i riu u zu poshtë tij janë ende nën hetim.

Punimet po kryheshin në rrugën Santa Cristina, e cila lidh zonën e impianteve sportive me kodrat përreth. Bashkia e Valtopinës kishte vendosur të ndërhynte për përmirësimin e rrugës, pjesa më e madhe e së cilës ishte ende e paasfaltuar.

Lajmi për vdekjen e të riut ka tronditur komunitetin e Valtopinës. Kryetari i bashkisë, Gabriele Coccia, i cili ndodhej jashtë qytetit për arsye pune, vendosi të kthehej menjëherë pas marrjes së lajmit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shprehu dhimbjen për humbjen e jetës së të riut dhe ngushëllimet për familjen.

“Administrata bashkiake shpreh dhimbjen e saj të thellë për humbjen tragjike”, thuhet në reagimin e publikuar pas aksidentit.

 

 

Advertisement