DOSSIER
Revolta e Spaçit/ Na hodhën në makinë si trungje lisi…
Nga Blerina Gjoka
E tërheqin zvarrë nëpër shkallë dhe e gjunjëzojnë me forcën e shkopinjve të gomës.
Për pak minuta, i burgosuri i vetmuar rrethohet nga 3, 4, 10 djem të rinj që revoltohen ndaj policëve dhe i largojnë me forcën e duarve. Të gjithë bashkë në kor të bërtasin: “Poshtë komunizmi!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!” dhe tërheqin nga cepat një copë rrobe të kuqe ku ishte vizatuar një shqiponjë dy krenore. Por vetëm pak minuta më vonë, ata po presin verdiktin gjyqësor kokëulur dhe duarlidhur.
“Të pushkatohen katër!” “Të ridënohen tetë!”
Nxënësit e gjimnazit të Rrëshenit e inskenuan revoltën e të burgosurve politikë kundër regjimit totalitar të Enver Hoxhës si pjesë të ceremonisë përkujtimore me rastin e 50-vjetorit, e organizuar nga Dioqeza e Rrëshenit dhe Bashkia e Mirditës. Dramatizimi u ndoq nga protagonistët e vërtetë – ish të burgosurit e Spaçit – gulagut më famëkeq të regjimit komunist.
Gjetë Kadeli, 81 vjeç, e ndoqi me një buzëqeshje të lehtë dramatizimin e të rinjve. Pesëdhjetë vjet më parë, Kadeli ishte njëri prej protagonistëve të revoltës, për të cilën u ridënua edhe me 15 vite të tjera burg.
“Revolta në fillim kishte karakter ordiner, përplasje e policisë me një të burgosur,” kujton Kadeli për BIRN.
Ngjarja nisi nga protesta e një të burgosuri, Pal Zefi (33 vjeç), i cili refuzoi të shkonte në minierë mëngjesin e 21 majit 1973. Gardianët e burgut e nxorën nga qelia me forcë dhe e dhunuan në shesh-pushimin e kampit në sy të qindra të burgosurve të tjerë.
Kadeli kujton se disa të burgosur e shpëtuan Palin nga kthetrat e policëve dhe u kthyen me grushta mbi policët dhe operativin e Sigurimit, deri sa policët u ngjitën lart.
Revolta mori ngjyrim politik në darkën e 21 majit, kur të burgosurit prishën dhe dogjën stendat e emulacionit, ku ishin shkruar parrullat për partinë dhe diktatorin. Kadeli kujton se për ta bërë protestën politike, i shkoi në mendje ideja e flamurit pa yllin komunist.
“Gjetëm një metër beze të kuqe dhe e bëmë,” shtoi ai.
Mëngjesin e 22 majit 1973, flamuri i improvizuar pa yll u ngrit në trekëndëshin metalik deri sipër taracës së kampit dhe deri mëngjesin e së nesërmes, të burgosurit u bënë zotër të burgut të tyre të vuajtjes. Më pas, revolta u shtyp.
“U dha urdhëri për të na arrestuar të gjithëve. Pasi na lidhën, del komisari me një listë emërore dhe i merrnin i hidhnin në makinë si me hedh një trung lisi, rreth 70 veta u arrestuan,” shtoi Kadeli.
Të burgosurit rezistuan deri mëngjesin e 23 majit, kur forca të shumta të ardhura nga e gjithë Shqipëria e shtypën me dhunë revoltën. Në një gjyq të shpejtë të zhvilluar po aty, u vendos të dënoheshin me pushkatim Pal Zefi, 33 vjeç, së bashku me Skënder Dajën, 23 vjeç, Dervish Bejkon, 27 vjeç, Hajri Pashajn, 29 vjeç. Dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.
Ceremonia përkujtimore e organizuar nga Dioqeza e Rrëshenit dhe Bashkia e Mirditës bëri bashkë shumë organizata dhe institucione aktive në fushën e kujtesës, presidentin Bajram Begaj, krerët e komuniteteve fetare si dhe politikanë lokalë.
Përkujtimi nisi në mëngjes herët me një pelegrinazh në kilometrin e fundit të rrugës që të çon në ish-kampin e Spaçit, ku instalacioni me siluetat njerëzore kujtonte vuajtjet e familjarëve të të dënuarve, kryesisht gra e fëmijë që bënin këtë rrugë të vështirë në dimër e verë për të takuar të afërmit e tyre.
“Duhet të jemi të ndjeshëm dhe të vetëdijshëm se hija e Spaçit ka prekur edhe mijëra familjarë,” tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH-së.
Ajo shton se institucioni që drejton nxit dhe mbështet nismën për ta kthyer sitin në një muze. “Jemi të bindur se ka fakte arkivore, dëshmi dhe artifakte mjaftueshëm për të ndërtuar një vend kujtese me rëndësi kombëtare,” tha Sula për projektin e parealizuar prej vitesh.
Një dokumentar me dëshmi të protagonistëve të revoltës u shfaq nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ndërsa ekspozita me skica “Jeta në Spaç” e fondacionit Kujto solli në mënyrë vizuale detaje të përditshmërisë së jetës së burgosurve në këtë kamp. Dramatizimi u mbështet nga Intituti për Demokraci, Media, Kulturë që e ka fokusuar punën me memorien kryesisht tek të rinjtë.
Kampi i Spaçit nisi të funksionojë si kamp pune të detyruar në vitin 1968, ku pjesa dërrmuese e të dënuarve ishin të burgosur politikë. Ata punonin në minierën e Spaçit në nxjerrje mineralesh, në një punë me tre turne dhe kushte të mjerueshme.
Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Çelo Hoxha, i tha BIRN se trajtimi i të burgosurve ishte në kundërshtim dhe me ligjet e vetë sistemit.
“Më 1957, Shqipëria ratifikoi dhe Konventën e OKB-së për ndalimin e punës së detyruar dhe më 1952, puna e detyruar u hoq nga Kodi Penal si masë dënimi,” tha Hoxha, ndërsa shtoi se pavarësisht kësaj, puna e detyruar u aplikua si formë dënimi në të gjitha kampet e kohës.
Kongresi për Llogaritjen e Krimeve të Komunizmit” Vilnius, 2000, e klasifikoi revoltën e Spaçit, si revoltën më të madhe me karakter politik që ka ndodhur nga të burgosurit antikomunistë në Evropën Lindore./BIRN