Aktualitet
Karburantet godasin xhepat e shqiptarëve, nafta arrin deri në 229 lekë
Çmimet e karburanteve në tregun vendas kanë shënuar një tjetër rritje të ndjeshme, duke iu afruar niveleve të larta të regjistruara gjatë krizës së vitit 2022.
Nafta po tregtohet me 226–229 lekë për litër, nga 219 lekë më parë, me një rritje prej 7 deri në 10 lekësh. Edhe benzina është shtrenjtuar, duke kaluar nga 205 lekë në 216–219 lekë për litër, ose 11 deri në 14 lekë më shumë.
Rritja e çmimeve në Shqipëri vjen pas luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare. Nafta Brent arriti dy ditë më parë në rreth 110 dollarë për fuçi, nga rreth 100 dollarë më herët, ndërsa aktualisht kuotohet pranë 104 dollarëve. Edhe çmimi referencë Platts është rritur, duke arritur në rreth 1,619 dollarë për ton.
Kjo është rritja më e fortë e çmimeve të karburanteve në vend që prej vitit 2022, kur pas nisjes së luftës në Ukrainë, nafta arriti përkohësisht rekordin prej 265 lekësh për litër.
Shtrenjtimi i fundit lidhet me tensionet në Lindjen e Mesme dhe vështirësitë në transportin detar, veçanërisht në zonën e Detit të Kuq dhe Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore të transportit të naftës në botë.
Rritja e çmimeve të karburanteve pritet të ndikojë edhe në kostot e transportit dhe të produkteve të tjera, duke shtuar presionin mbi shpenzimet e familjeve dhe bizneset.