Thinking ...
Connect with us

Politike

Bllokimi i pagave të gjyqtarëve/ Bardhi sulmon Ramën: Të japë llogari…

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të japë llogari për situatën e krijuar lidhur me pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi pretendon se qeveria nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Sipas tij, kjo situatë ka krijuar vështirësi financiare për sistemin e drejtësisë dhe ka prekur edhe administratën e gjykatave e prokurorive.

Bardhi kritikoi gjithashtu qeverinë për mënyrën se si po trajton pagesat e prapambetura të magjistratëve, duke kundërshtuar argumentin se përgjegjësia lidhet me vendimin e Gjykatës Administrative. Sipas tij, detyrimi për pagesat e prapambetura është përcaktuar më herët nga Gjykata Kushtetuese, përfshirë edhe mënyrën e përllogaritjes.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së e krahasoi këtë situatë me rritjen e pagave të funksionarëve të lartë dhe akuzoi kryeministrin se po mban një qëndrim të ndryshëm ndaj magjistratëve.

Bardhi kërkoi nga Rama shpjegime lidhur me vonesat në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e akuzoi qeverinë se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike. Deklaratat e tij janë pjesë e përplasjes politike mes opozitës dhe mazhorancës për mënyrën e zbatimit të vendimit dhe financimin e sistemit të drejtësisë.

Reagimi i Bardhit:

Edi Rama duhet të japë llogari për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese!

Edi Rama po përpiqet prej ditësh të manipulojë opinionin publik për pagat e magjistratëve, për të fshehur përgjegjësinë e tij për një situatë të paprecedentë: sistemi i drejtësisë është lënë në kolaps financiar, ndërsa magjistratët dhe administrata e gjykatave e prokurorive janë lënë pa paga. Por propaganda nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë.

Edi Rama duhet t’u përgjigjet shqiptarëve:

Pse për pesë muaj nuk zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Pse qeveria e tij nuk ndërmori asnjë veprim për të zbatuar një vendim detyrues të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ishte e qartë se mosveprimi i Kuvendit brenda datës 31 korrik 2026 do të sillte pasojat e parashikuara nga vetë Gjykata?

Pse, deri më sot, Këshilli i Ministrave nuk ka paraqitur asnjë projektligj që reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, por është fshehur pas dy deputetëve të tij që as dinë çfarë kanë firmosur?

Këto janë pyetjet që Edi Rama duhet t’u përgjigjet. Jo të sulmojë sistemin e drejtësisë. Jo të ndërtojë alibi. Jo të prodhojë propagandë.

Edi Rama ia rriti rrogën vetes me 100%, ndërsa magjistratëve u thotë: “Nuk mund t’jua rris me 51%”! Në periudhën 2022–2023, në emër të rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve, pagat e funksionarëve dhe punonjësve të sektorit publik u rritën ndjeshëm, në disa raste deri në 100% të vlerës së tyre. Përfituan Presidenti, Kryeministri, ministrat, deputetët, drejtuesit dhe një pjesë e administratës publike. Por gjyqtarët dhe prokurorët u lanë jashtë kësaj rritjeje. Ata nuk përfituan asnjë rritje page gjatë asaj periudhe.

Më e rëndë është se kjo vendimmarrje e Kuvendit është vlerësuar si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese, përmes dy vendimeve. Pavarësisht kësaj, Edi Rama dhe shumica e tij në Kuvend shkelën vendimin e parë të Gjykatës Kushtetuese dhe, prej pesë muajsh, refuzojnë të zbatojnë edhe vendimin e dytë. Ky është i vetmi shkak i krizës së paprecedent të krijuar në sistemin e drejtësisë.

Edi Rama gënjen po ashtu kur përpiqet t’ia faturojë Gjykatës Administrative detyrimin për pagesat e prapambetura që nga prilli 2023. Ky detyrim është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e shkurtit 2026, duke përcaktuar madje edhe formulën mbi bazën e të cilës përllogaritet pagesa e prapambetur.

Përpjekja për të deformuar faktet dhe për t’ia transferuar përgjegjësinë institucioneve të tjera është thjesht një tjetër përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies. Në një shtet normal, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk negociohen, nuk interpretohen sipas interesit politik dhe nuk zvarriten për pesë muaj. Zbatohen.

Në një shtet të së drejtës, qeveria nuk mund të zgjedhë se cilat vendime respekton dhe cilat jo.

Prandaj, Edi Rama duhet t’u japë llogari shqiptarëve.

Përse nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Përse lejoi që sistemi i drejtësisë të mbërrinte në këtë pikë?

Dhe përse, në vend që të zgjidhë krizën, po përpiqet ta mbulojë atë me propagandë?

Edi Rama siç i ka dhënë urdhër Ministrit të Finacave të bllokojë llogaritë e pagave të magjistratëve, ashtu i ka dhënë urdhër edhe Parlamentit të mos zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, shqiptarët meritojnë përgjigje, jo justifikime.

Kushtetuta nuk është zgjedhje politike. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese. Dhe askush, përfshirë Edi Ramën, nuk është mbi Kushtetutën.

Advertisement