Kronike
Eksploziv në derën e banesës së 36-vjeçarit, shpërthimi trondit Kamzën në orët e para të mëngjesit
Një shpërthim i një sasie të vogël lënde të dyshuar plasëse ka tronditur Bathoren në orët e para të mëngjesit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:35, në rrugën “Rozafa”, ku lënda plasëse ishte vendosur në portën e banesës së 36-vjeçarit Mariglen Lala.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe, sipas të dhënave të deritanishme, nuk ka persona të lënduar.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin ose autorët.
Sipas të dhënave të bëra publike, Mariglen Lala rezulton të ketë qenë i arrestuar më parë për vjedhje dhe grabitje të banesave dhe bizneseve.
Tashmë grupi hetimor po punon për të zbuluar motivin e vendosjes së eksplozivit në portën e banesës së 36-vjeçarit, ndërsa po verifikohen edhe rrethanat dhe çdo konflikt i mundshëm që mund të ketë lidhje me ngjarjen.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të shpërthimit.