Politike
Kulluri: Kurti qëllimisht po saboton avancimin e negociatave Kosovë-Serbi
Analisti Edvin Kulluri tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po sabotojnë njohjen reciproke të Kosovës. Në një intervistë analisti tha se Kurti nuk e do pavarësinë e Kosovës pasi po pengon negociatat me veprimet që bën.
“Duket sikur të dyja këto lëvizje vazhdojnë lojën e Kurtit dhe Vuçiç për të sabotuar një marrëveshje të mundshme më pranë së kurrë pas dy takimeve në Bruksel dhe Ohër. Komiteti ndërkombëtar po priste që të ecnin me marrëveshjen e Ohrit me zbatimin e saj: një, asociacionin dhe dy, çështjen e të zhdukurve kosovarë gjatë ’99. Në të dy çështjet njëherë saboton njëra palë njëherë tjetër. Ose nuk pranon Serbia çështjen e të zhdukurve ose është Kurti që shtyn çështjen e Asociacionit. Për mendimin tim, edhe Kurti edhe Vuçiç po sabotojnë njohjen reciproke të Kosovës.
Nga pikëpamja e brendshme të dyve iu shërben për t’u shitur si patriotë dhe nacionalistë të mëdhenj brenda Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka asnjë avancim që me ardhjen e Kurtit në pushtet, ka pasur pengesa të vazhdueshme që me demarkacionin me Malin e Zi, në vazhdim me marrëveshjen e Uashingtonit dhe me marrëveshjen e fundit nën ombrellën e administratës Biden arrijmë në një përfundim logjik që Albin Kurti po saboton në mënyrë të qartë avancimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke. Të duash Kosovën do të thotë të arrish marrëveshjen. Besoj se kush nuk e do pavarësinë e Kosovës është Albin Kurti dhe nuk ka aktor të tjerë pavarësisht se opozita është e dobët për ta bërë të dukshme këtë gjë.”, tha Kulluri.
Ai shtoi se Kosova është lënë mes të katër rrugëve për shkak të qeverisë Kurti.