LAJMI I FUNDIT
Tjetër sukses i madh në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi i jep të artën Shqipërisë në karate
Pas Luiza Gegës, një tjetër sportist shqiptar ka nderuar vendin tonë në Lojërat Europiane, që po zhvillohen në Krakov të Polonisë.
Alvin Karaqi ka arritur të mposhtë këdo që i ka dalë para dhe ka arritur të fitojë të artën në disiplinën karate kumite -84 kg.
Sportisti ynë arriti të triumfojë në finale ndaj holandezit Timmermans dhe të koleksionojë ndoshta suksesin më të madh të këtij sporti për Shqipërinë.
Karaqi e arrin këtë sukses, pas një historie mjaft të vështirë të karrierës së tij, pasi në vitin 2017 ai këputi ligamentin e gjurit dhe vuri në rrezik të madh karrierën.
Ai nuk u dorëzua dhe pas shumë vuajtjesh, duke përfshirë edhe karrigen me rrota, u çua në këmbë dhe tashmë shndërrohet në një burim krenarie për të gjithë shqiptarët.
Përveç karrierës si sportist, Karaqi po kryen studimet si mjek dhe aktualisht po angazhohet edhe me një specializim në Zvicër. Ky djalë tregon se është një burim frymëzimi për të gjithë.