Connect with us

Kosova

Sanksionet e BE ndaj Kosovës, Çitaku: Kurtit nuk i bëhet vonë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas masave që ka ndërmarrë Bashkimi Evropian ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Kosova sot është e përçarë nga brenda, dhe e sanksionuar nga aleatët dhe kjo ka ardhur nga  rezultati i qeverisjes së Albin Kurtit.

“Vlerat monetare të humbura nga ky sanksionim janë pakrahasimisht më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Unë e di që Kurtit nuk i bëhet vonë as për MSA e as për IPA. Tek e fundit ai dhe VV nuk kanë votuar për ratifikimin e MSA në Kuvend. Por, Kosova nuk i takon një njeriu”, ka shkruar Çitaku.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas bërjes publike të masave që do të ndërmarrë BE ndaj Kosovës, duke thënë se “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani.  Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”.

Bashkimi Evropian ka marrë masa ndaj Kosovës pasi sipas tyre nuk janë ndërmarrë veprime për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Advertisement