Connect with us

Kronike

Skafi defekt në det/ Shpëtohen në mesnatë 13 pushues te ‘Kepi i Rodonit’

13 persona kanë mbëtur dje gjatë orëve të natës të bllokuar në det te “Kepi i Rodonit”. Ata u evakuuan në mesnatë. Policia bën me dije se pushuesit shqiptarë, të afërm me njëri-tjetrin po lundronin me skaf, por ky i fundit pësoi defekt. Shërbimet e policisë kufitare u sinjalizuan për rastin rreth orës 22:30.

“Mbetën në det, gjatë orëve të natës, pasi skafi me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, pësoi defekt, shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë 13 shtetasve (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), 6 prej të cilëve shtetas të mitur. Operacioni i shpëtimit zgjati deri në mesnatë dhe përfshiu evakuimin e 13 shtetasve dhe rimorkimin e mjetit lundrues skaf.

Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin janë njoftuar se 13 shtetas, mes tyre dhe të mitur, kishin mbetur në det, në afërsi të kepit të Rodonit, pasi mjeti skaf me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin dhe roja bregdetare janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar. 

Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 13 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar edefektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit”, bën me dije policia.

Advertisement