Aktualitet
FOTO/ Momenti i sherrit mes Rei Metes dhe Armando Meshaut
Është publikuar një moment i konfliktit para se të regjistrihej krimi i mesditës së djeshme, rreth orës 11:45, në ambientet e një kancelarie në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë.
Siç shihet nga fotoja e publikuar nga JOQ, 33-vjeçari Rei Meta është duke u konfliktuar fizikisht me 55-vjearin Armando Meshau. Pas debatit, Meta e ka goditur dy herë me grusht në kokë Meshaun duke e lënë të vdekur në vend.
Rei Meta ka thënë para policisë, se shkak për sherrin është bërë një shumë parash, që Armando Meshau ia kishte për të dhënë.
“Me Armandon kam pasur një konflikt të hershëm për çështje lekësh. Unë para disa kohësh kisha ndërmjetësuar tek një tjetër person që Armando të blinte një sipërfaqe toke. Ai më kishte premtuar se nëse do të mund të blinte atë tokë, unë do të përfitoja prej tij një shumë lekësh, por që nuk më tha se sa. Pas disa kohësh mora vesh se ajo sipërfaqe toke ishte blerë nga Armando dhe kam shkuar disa herë ta takojë e t’i kërkoja lekët që më kishte premtuar”. – ka thënë ai në polici.
Detajet e konfliktit:
Krimi u regjistrua, rreth orës 11:45 të mesditës së të hënës në ambientet e një kancelarie në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë, ku humbi jetën 55-vjeçari Armando Meshau.
Viktima, inxhinier ndërtimi, ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, të identifikuar si shtetasi Rei Meta.
Mësohet se autori dhe viktima kanë pasur një konflikt të pazgjidhur, që ka qenë i mbartur prej mëse 8 muajsh. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndjerë i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë.
Rei Meta kishte premtuar zgjidhje për një pronë të Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti Meta.
Në këmbim i riu do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta.
Pavarësisht kësaj, 33-vjeçari pretendonte se për “punën” që kishte marrë përsipër, ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin dhe kjo ka nxitur konfliktin mes tyre, i cili u mbyll tragjikisht këtë të hënë.
I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve.
Meshau i ka thënë 33-vjeçarit se nuk ka për ta marrë apartamentin, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me dhunë fizike, duke e qëlluar dy herë me grusht në fytyrë 55-vjeçarin, i cili ra pa ndjenja në tokë, duke humbur jetën në vend.