Politike
I biri rrahu për vdekje 55-vjeçarin, PD kërkon largimin e Nurihan Metës
Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e anëtares së KLP-së, Nurihan Meta, pasi djali i saj ditën e djeshme goditi për vdekje 55-vjeçarin, Armando Meshau në Vlorë.
Ka qenë zëdhënësja e PD-së, Mirela Karabina e cila përms një deklarate për mediet u shpreh se Rei Meta ishte sekser dhe përdorte emrin e së ëmës, teksa shtoi se anëtarja e KLP-së është pengesë për hetimet.
Sipas PD larkimi i Nurihan Mete nga KLP i hap rrugë zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Deklarata e plotë e Karabinës:
Për shkak të dhunës të ushtruar nga shtetasi Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta, humbi jetën shtetasi Armando Meshau; si dhe faktet e bëra publike nga hetimet paraprake, të cilat dëshmojnë se djali i anëtares së KLP-së vepronte si sekser duke përdorur emrin dhe prestigjin e postit të së ëmës, kërkojnë një hetim të thelluar jo vetëm të krimit të kryer nga Rei Meta, por edhe të këtyre akuzave publike që sot rëndojnë mbi znj. Nurihan Meta.
Prandaj, në respekt të ligjit dhe për shkak të detyrës të lartë që mbulon, Partia Demokratike i bën thirrje Nurihan Meta të japë dorheqjen për t’i hapur rrugën drejtësisë.
Çdo ditë që Nurihan Meta mban detyrën e anëtares së KLP-së, përbën një cënim të rëndë të integritetit të KLP-së, si edhe bëhet pengesë për hetimin dhe zbardhjen e shpejtë dhe të plotë nga ana e prokurorisë, të kësaj ngjarje kriminale.
Prokuroria nuk mund të jetë nën presion për shkak të konfliktit të interesit që rëndon mbi të nga ana e anëtarëvë të KLP-së.
Partia Demokratike mbështet prokurorinë për një hetim të gjithëanshëm të kësaj ngjarje të rëndë në të cilën humbi jetën z. Armando Meshau, dhe në këto orë të trishta, ne shprehim ngushëllimet tona për familjen e të ndjerit.